Imri Ahmeti mohon se po zhvillohet aksion policor në Komunën e Lipjanit, a ka të arrestuar?

24.02.2021 12:57:18

Kreu i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka mohuar se në komunën e tij ka të arrestuar nga aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës që po zhvillohet në lokacione të ndryshme të vendit.

Ameti ka thënë se ai gjendet në zyre dhe askush nuk ka qenë aty.

“Unë nuk kam asnjë lloj informacioni as zyrtar as privat, nuk e di çka është duke ndodhur. Në administratë jam në zyre, askush nuk ka ardhur as nuk më ka kontaktuar”, ka thënë Ahmeti.

Edhe pse një nga drejtorët në këtë komunë, e ka konfirmuar aksionin e policisë për media, Ahmeti ka thënë se nuk e di se ku ka pasur aksion të policisë.

“Nuk e di ku ka qenë ai aksion, unë në komunë jam, nuk ka asnjë lloj aksioni”, tha tutje Ahmeti.

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Lipjanit Shefqet Amerllahu ka thënë se nuk ka informacione nëse dikush është arrestuar.

“Policia ka pasur një aksion edhe në komunën tonë por, zyrtarët e drejtorisë së Bujqësisë janë në punë, ndërkaq për arrestime në sektorë të tjerë nuk kam informacione”, ka thënë Amerllahu.