Incidenti në Jalë, Basha-Ramës: Do përgjigjesh me kokën tënde!

19.09.2018 00:10:22

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka denoncuar publikisht dhunën ndaj banorëve të Jalit nga ana e policisë për prishjen e disa ndërtesave, por njëkohësisht ka akuzuar kryeinspektorin e IKMT-së për Vlorën, Fatmir Meta se ka kërcënuar deputetët e opozitës.

Në një dalje të jashtëzakonshme për mediat, Basha nënvizoi se Meta është një nga anëtarët e bandës që ekzekutuan 20 vjet më parë Azem Hajdarin në Tiranë, duke qenë sipas tij në krye të policisë së Tropojës.

Kryedemokrati shtoi se ky persona, tashmë zyrtar i shtetit, i shërben bandës së grabitësve të pronave të qytetarëve të udhëhequr nga Rama dhe Xhafaj. “Një fije floku t’i preket deputetëve apo përfaqësuesve të opozitës, do mbash përgjegjësi me kokën tënde…”, – iu drejtua kreu i opozitës kryeministrit Rama.

Deklarata e plotë e Bashës

Gjatë gjithë ditës kemi parë ngjarje tronditëse në Jalë të dhunimit barbar të banorëve që u ngritën kundër shembjes së banesave të tyre.

Prania policore në Jalë ka një qëllim për të grabitur pronat e Jalës. Kjo ndërhyrje ka qenë e dhunshme dhe e paligjshme dhe me raste të rënda si arrestimi i të miturve. Dëshmitarët kanë deklaruar se toka do t’i kalojë në pronësi Ministrisë së Mbrojtjes për t’u dhënë më pas për miqtë e Edi Ramës.

Ndërkohë që kompleksi i Alban Xhillarit, mirëbërësi dhe donatori i Edi Ramës që ka zaptuar gjithë bregdetin e Jalit nuk u prek fare.

Policia dhe IKMT-ja janë sjell si banditë me banorët dhe deputetët e opozitës. Kryeinspektori Fatmir Metaj, kërcënoi deputetin Agron Shehaj, që ishte përkrah njerëzve duke i kërkuar llogari për banorët.

Fatmiri i Nasibesë është ish-shefi i Komisariatit të Tropojës, udhëtoi më 12 shtator 1998, banda që ekzekutoi Azem Hajdarin. Banda u kthye po atë natë në Tropojë.

Gjatë kësaj periudhe u vranë 86 qytetarët. Këto janë bëmat e Fatmir Metës, i cili u emërua si shpërblim për anëtarësinë e tij në bandën e Zani Çaushit.

Rama dhe Xhafaj e kanë hedhur policinë në sulm kundër popullit për të mbrojtur oligarkët. Nga Kukësi në Tiranë, në Lushnjë dhe në Jalë, banditët e Edi Ramës me shokë ushtrojnë dhunë mbi qytetarët.

Sot në Shqipëri janë të sigurt vetëm kriminelët që bëjnë ligjin me bekimin e Edi Ramës.

Sot duhet t’i drejtohet: PD do të depozitojë sot një kallëzim kriminal për Fatmir Metën. Drejtësia e ka shpëtuar një herë për vrasjen e Azem Hajdarit, ndërsa padronit Edi Ramës i jap këtë paralajmërim: një fije floku po ju prek përfaqësuesve të opozitës, përgjegjësinë do ta mbash ti dhe vetëm ti Edi Rama në kokën tënde.