Injoranca dhe fryma revolucionare-enveriste çiftat e Hysamedin Ferajt i mban në anën e gabuar të historisë

14.12.2017 00:17:59

Nga Rexhep Kastrati

Hysamedin Feraj në frymën e mësimeve të shokut Enver, kish bërë një apologji për Albin Kurtin, duke dëshmuar se ai lidhje nuk ka me realitetin socio-politik në Kosovë dhe ka një mosnjohje absolute të Vetëvendosjes.

Hysamedin Feraj nuk e di ende se Vetëvendosje është produkt politik i linjës së Tiranës/Kretës që u konturua gjatë djegies së shtetit shqiptar më 1997, dhe u formësua pas takimit Nano-Milosheviq në Kretë në dhjetor 1997, me të njëjtin qëllim: djegien e Kosovës sikurse djegien e shtetit shqiptar;

Hysamedin Feraj nuk do t’ia di se pararoja e bartjes së linjës së Tiranës/Kretës në Kosovë ishte Albin Kurti, Driton Lajçi, Muhamet Mavraj, Bujar Dugolli etj., që e mbanin të pushtuar Unionin e Studentëve të Universitetit të Prishtinës që nga viti 1994 kur në krye të tij kish ardhë Hashim Thaçi dhe ua kishte dorëzuar në mirëbesim Albinit me shokë. Gazeta e stydentëve “Bota e re”, ishte bërë bori propagandistike e linjës së Tiranës/Kretës. Roli i Adem Demaçit dhe i Rexhep Qosjes në gjithë këto ishin i madh.

Hysamedin Feraj nuk do t’ia dijë se hapërimi i Hashim Thaçit dhe i Albin Kurtit krahas Rexhep Qosjes, Adem Demaçit, Veton Surroit dhe të tjerëve si këta, ka qenë i vazhdueshëm kundër organizimit politiko-institucional të Kosovës dhe është vërejtur në çdo fazë të proceseve në Kosovë që nga praglufta e këndej.

Hysamedin Feraj nuk do t’ia dijë që Kosova po vuan pasojat e veprimeve kundërkombëtare të linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokoministe që nga viti 1998: përçarjen politike, ndarjen e brendshme etnike, rrënimin e vlerave të luftës dhe të paqes, pazaret e pista dhe të dëmshme, të hapura dhe të fshehta me Serbinë dhe me aleatët e tyre. Pasojë e gjithë këtyre është imponimi i realiteteve të tilla si enklavat dhe ndarja e veriut, pozita e privilegjuar e serbëve dhe e pakicave të tjera, cenimi i kufijve të Kosovës ndërmjet saj dhe Maqedonisë dhe dominimi i skenës politike nga struktura mafiozo-politike.

Hysamedin Feraj nuk do t’ia dijë se Albin Kurti nuk ka përkrahur kurrë ndonjë nismë strategjike të LDK-së, por ka përkrahur çdo nismë strategjike të PDK-së, AAK-së e Nismës. Dhe veprimi i fundit strategjik i Albin Kurtit me të tjerët kundër vendit dhe LDK-së ka qenë rrëzimi bashkarisht i Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa pas dy vitesh të dhunshme dhe në kufijtë e shpërthimit të plotë të Kosovës, për ta zëvendësuar me një Qeveri të varur nga Serbia.

Hysamedin Feraj nuk do t’ia dijë se Albin Kurti nuk është kundër asociacionit dhe demarkacionit, por nëpërmjet këtyre po e synon pushtetin për të çuar përpara platformën për rrënimin e shtetit të Kosovës dhe ndarjen e saj.

Dhe Hysamedin Feraj nuk do t’ia dijë për këto, se edhe të tjerët në shtetin shqiptar ende janë robër të mendësisë së shokut Enver Hoxha. Për të tillët nuk vlen fakti se Kosova është në proces shtetndërtimi me aleatët tanë strategjikë, të cilët me shumë vështirësi dhe më kundërshtime të forta arritën që ta çlirojnë Kosovën dhe ta bëjnë shtet të pavarur. Të këtillët nuk duan t’ia dinë se Rusia dhe të tjerët, siç ka thënë Daniel Server, po i bëjnë probleme Amerikës si hakmarrje për Kosovën, kurse Vetëvendosjen e quan të rrezikshme për Kosovën.

Prandaj çiftat e Hysamedin Ferajt ia huqin vazhdimisht për Kosovën dhe vazhdimisht renditen në anën e gabueshme të historisë!