INPO: Gjuha e debatit në Kuvendin e Ferizajt, peng i interesave personale

02.11.2016 13:35:50

Organizata INPO shpreh shqetësim për  gjuhën e debatit  të përdorur në mbledhjen e fundit të  Kuvendit Komunal të Ferizajt.

“Akuzat dhe fyerjet ndërmjet drejtorit të drejtorisë se shëndetësisë Burim Karameta dhe anëtarit të kuvendit Hesat Shatrolli rreth statutit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet e debatit demokratik, kulturës politike dhe praktikës parlamentare”, ka konsideruar INPO në një komunikatë për media.

Sipas kësaj organizate, seancat e KK-së, janë shndërruar në arenë debati bosh dhe destruktiv. “Një frymë e tillë është në kundërshtim me interesin publik dhe pengon punën normale dhe efikasitetin e Kuvendit. Kryesuesi i Kuvendit, Faruk Guri, në vend se të ndërmarrë masa sipas rregullores së punës së Kuvendit ndaj Hesat Shatrolli dhe Burim Karameta, e pamundësoi debatin rreth statusit të QKMF-së. Ua mohoi këshilltarëve të drejtën e fjalës dhe diskutimit, duke e shkelur parimin e barabarësisë së anëtarëve”, thotë INPO.

Në këtë seancë janë prezantuar shumë pika të rendit të ditës, disa prej të cilave me materiale pjesërisht të disponueshme për Kuvendin.

INPO vlerëson së Kuvendi Komunal, si organi më i lartë vendimmarrës në komunë nuk është duke zbatuar të drejtat dhe obligimet e veta ligjore karshi kontrollit dhe mbikëqyrjes së ekzekutivit dhe përmbushjes së misionit të tij dhe mbrojtjen e interesave të komunës në përgjithësi.

INPO i bën thirrje të gjithë anëtarëve të  kuvendit dhe ekzekutivit që të vendosin marrëdhënie të mirëfillta të kontrollit dhe bashkëpunimit, duke promovuar debat demokratik konstruktiv në shërbim të interesit qytetarë dhe zhvillimit të politikave të mira për komunën.