Inter, gati të sakrifikojë Joao Mario-n për yllin e Arsenal

27.09.2017 00:10:32

Sipas shtypit anglez, Inter është shumë interesuar për mesfushorin gjerman të Arsenal Mesut Ozil. Për të arritur te ish-kampioni i botës, zikaltrit janë gati t’i ofrojnë londinezëve Joao Mario-n, i cili pëlqehet shumë nga trajneri Arsene Wenger. Sipas “Sunday Express”, klubi milanez ka vënë në shënjestër Mesut për shkak se kontrata e tij me Arsenal skadon në qershor të 2018-ës dhe lojtari ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend ta rinovojë. Kështu, për ta bindur Wenger që ta lërë të lirë lojtarin që në janar zikaltrit janë gati t’i ofrojnë “Topçinjve” një këmbim me Joao Mario-n.

Gjithsesi, ky mbetet një operacion i vështirë për t’u realizuar për Inter, veçanërisht për shkak të “Fair Play”-it Financiar. Ideja e këmbimit me Joao Mario-n do t’i lejonte zikaltrit të shmangte disa nga rregullat e UEFA-t, por më pas do të duhen bërë llogaritë me rrogën e gjermanit. Ky i fundit, në fakt, merr 7.7 milionë euro në sezon, 5 milionë më shumë se Joao Mario. Ka pak mundësi që Ozil të pranojë ta reduktojë rrogën për t’u transferuar te zikaltrit.