Inter spektakolar, “manita” Chievos për kreun, një portier i prish debutimin Gattusos

03.12.2017 18:40:29

5 gola për të marrë të vetëm kreun e Serisë A. Mision i përmbushur për Interin që në San Siro nuk mund ta çonte dëm shansin që  i ishte dhënë nga humbja e Napolit ndaj Juventusit për të kryesuar të vetëm për të paktën një javë kampionatin italian. Zikaltërit e Spalletit dhuruan spektakël duke bombarduar Chievon e Rolando Maran me një breshëri golash në atë që mund të konsiderohet pa më të vogëlin dyshim si ndeshja më e mirë e Interit në këtë sezon. Përpara 60 mijë tifozëve zikaltrit ishin thjeshtë të jashtëzakonshëm duke krijuar një mori rastesh për të marrë në fund fitoren më të thellë në këtë sezon 5-0. Heroi i Interit ishte kroati Ivan Perisic që realizoi një tre golësh në këtë sfidë ndërsa gjetën rrugën e rrjetës edhe kapiteni Icardi dhe zbulimi më i bukur i këtij sezoni, mbrojtësi sllovak Milan Skriniar.

Ndeshja e San Siros ishte një dominim i skuadrës së Spallettit nga fillimi e deri në fund me portën e Sorrentinos që u kthye në një “tabelë qitjeje”. Perisic e hapi dhe e mbylli serinë e golave, ndërsa Icardi me finalizimin e tij u ngjit në krye të listës së golashënuesve të Serisë me 16 finalizime. Me këtë fitore Interi parakaloi Napolin në renditje dhe tashmë kryeson në kuotën e 39 pikëve, një më shumë se të kaltrit dhe 2 më tepër se Juventusi, me zikaltrit që do të shkojnë me moral shumë të lartë në derbin e Italisë ndaj bardhezinjëve që do të zhvillohet të shtunën e ardhshme. U rikthye te fitorja Fiorentina e Piolit që në Artemio Franchi mposhti pastër 3-0 Sassuolon  me golat e Giovani Simeones, francezit Veretout dhe talentit Federico Chiesa. Në sfidën tjetër të mesditës Bologna dhe Cagliari u ndanë në një barazim 1-1.

As Ivan Gennaro Gattuso nuk mund ta nxjerrë Milanin nga kriza. Në debutimin e “Ringhios” si trajner kuqezi, “Djalli” zhgënjen në transfertë ndaj Beneventos, duke barazuar 2-2. Skuadra e fundit në klasifikimin e Serisa A e meritoi pikën e parë sezonale në minutën e fundit të kohës shtesë, kur portieri Brignoli, i cili kishte braktisur portën, devijoi me kokë drejt rrjetës. Një rezultat aspak bindës në ndeshjen e parë të Gattusos, sepse pa ndërhyrjet vendimtare të Donnarummas, rezultati mund të kishte qenë tjetër. Bonaventura shënoi golin e parë në këtë takimin në minutën e 38-të, pasi një rrëmuje në zonën e Beneventos, duke devijuar me kokë drejt rrjetës nga një distancë e afërt.

Këmbëngulja e vendasve u shpërblye me gol të në 50-tën, teksa topi i kthyer nga Donnarumma shkoi në këmbët e Puscas, që nuk hezitoi për ta çuar në rrjetë.

Milani, gjithsesi, e gjeti sërish avantazhin me Kalinic, pas krosimit të Bonaventurës në minutën e 67-të.

Kartoni i dytë i verdhë i Romagnolit në minutën e 75-të komplikoi gjithçka për kuqezinjtë, që pikërisht kur prisnin vërshëllimën e trefishtë të gjyqtarit, pësuan golin e dytë. E pabesueshme, ai që e dërgoi topin në rrjetë, ishte portieri Brignoli!