Interi mposht Cagliarin dhe ngjitet në vendin e katërt

29.09.2018 23:26:52

Interi ka regjistruar një tjetër fitore në kampionatin italian, duke e çuar numrin e tyre në tre radhazi dhie 4 në total në shtatë javët e para, teksa mposhtën Cagliarin me rezultatin 2-0 në “San Siro”.

Me ndeshjen e Chgampionsit të mërkurën, Spalletti kishte menduar të lërë pushim disa nga titullarët për sfidën ndaj sardëve, ndërsa aktivizoi si titullar sulmuesin argjentinas Lautaro Martinez.

Ishte pikërisht ky i fundit që zhbllokoi sfidën, teksa pas një pasimi të marrë nga Dalbert në minutën e 13’, kërceu fort dhe dërgoi topin në rrjetë pas një gjuajtjeje me kokë.

Zikaltrit krijuan edhe një mori rastesh të tjera shënimi, por që u shpërdoruan veçanërisht nga Candreva, që pati të paktën dy herë mundësinë të shënojë golin e dytë.

Nga ana tjetër Cagliari arriti të shënojë me anë të Dessenës rreth 15 minuta nga fundi, por barazimi zgjati vetëm pak sekonda, pasi VAR-i konstatoi se futbollisti sard kishte gjuajtur topin me dorë.

Golin e qetësisë për zikaltrit e shënoi matteo Politano në minutën e 89’, me një gjuajtje mjaft të bukur, që u përplas në shtyllën e portës së Cagliarit dhe më pas përfundoi në rrjetë.

Pavarësisht startit të dobët të kampionatit, me tre fitore radhazi Interi ka arritur të ngjitet në vendin e katërt me 13 pikë, po aq sa edhe Sassuolo e vendit të tretë, ndërsa distanca mbetet e largët vetëm me Juventusin kryesues.