Interi nuk ndalet, fundos Palermon

22.01.2017 17:57:01

Interi vijon serinë e fitoreve duke e cuar në 6 numrin e sukeseve radhazi në kampionatin italian. Zikaltërit e Stefano Piolit, kaluan në Renzo Barbera me rezultatin 0-1 Palermon duke u ngjitur në kuotën e 39 pikëve në Serinë A. Për herë të parë në këtë sezon, Interi lë pas në renditje Milanin dhe tashmë e sheh veten vetëm 1 pikë pas Lazios së vendit të 4-t. Duhej të vinte Joao Mario nga stoli që t’i jepte tre pikët skuadrës së Piolit. Portugezi realizoi golin e fitores për Interin duke zhbllokuar një sfidë të cilën skuadra zikaltër e dominoi nga fillimi e deri në fund por Icardi me shokë shpërdoruan shumë përpara portës. Sinjalin e parë e dha pikërisht kapiteni. Në të 11-tën sulmuesi argjentinas kontrolloi shumë mirë topin pas një asisti perfekt të Mirandës, u lirua edhe nga mbrojtësit kundërshtarë, por goditja e Icardit ishte e dobët dhe u prit nga Posavec. Në të 22-tën portieri kroat i formacionit sicilian ndali tentativën e Candrevës, ndërsa disa minuta më pas Icardi tregoi se ishte në një ditë jo, duke shpërdoruar me portën e boshatisur pas një predhe të Brozovic që gjeti sërish në lartësinë e duhur Posavec. Pjesa e parë u mbyll me një goditje standarte të Icardit që përfundoi paksa mbi traversë. Edhe në fraksionin e dytë ishte Interi skuadra që diktonte ritmin. Në të 55-tën Pioli hoqi nga loja argjentinasin, Ever Banega për ti bërë vend në formacion Joao Marios. 10 minuta më pas mesfushori portugez ia shpërbleu besimin trajnerit, duke realizuar një gol të bukur me një goditje fluturimthi pas një krosimi perfekt të Candrevës.

Një gol me vlerë tre pikëshe për Interin që për të mbrojtur avantazhin vuajti disi sepse në të 79-tën, Ansaldi mori kartonin e dytë të verdhë duke lënë të tijët me një lotjar më pak në fushë. Në sekondat e fundit të shtesës gjyqtari Irrati ndëshkoi me karton të kuq edhe Ghazin për vendasit duke barazuar forcat. Në Renzo Barbera, Interi ia doli të regjistronte fitoren e 6-të radhazi në kampionat duke thelluar krizën e Palermos.

Ledian Memushaj hyri në fushë nga stoli dhe fitoi një penallti në duelin mes Pescarës dhe Sassuolos por skuadra abruceze nuk arriti të evitonte disfatën me shifrat 1-3 brenda në stadiumin Adriatico përballë ekipit të Di Francescos. Matri që në minutën e parë kaloi në epërsi formacionin nga Reggio Emilia, ndërkohë që në fillimin e pjesës së dytë Pescara barazoi shifrat me Bahebeck. Megjithatë Sassuolo shënoi dhe 2 herë të tjera me Pellegrinin dhe Matrin, përpara se Memushaj të fitonte një penallti e cila u shpërdorua nga Bhiragi në minutën e 88-të. Një tjetër disfatë për Pescarën që afron akoma edhe më shumë me rrëzimin një kategori më poshtë skuadrën abruceze.

Frederik Veseli hyri në fushë si zëvendësues në minutën e 56-të në fitoren e vuajtur me rezultatin 1-0 që arriti Empoli në stadiumin Carlo Castellani përballë Udineses. Një gol i gjeorgjianit Mchedlidze, në të 88-tën i mundësoi skuadrës toskane një sukses shumë të rëndësishëm që e coi në plot 11 pikë diferencën në klasfikim mes Empolit dhe skuadrave që rrëzohen në Serinë B.