Invalidët e luftës, kujtojnë plagët dhe peripecitë e mjekut Agim Hazrolli me të plagosurit e shumtë

29.06.2018 19:33:54

Dr. Agim Hazrolli, kirurg-urolog, pikërisht në vitin që kishte kryer specializimin në Lubjanë të Sllovenisë, pa hezitim ishte paraqitur mjek i luftës për nevojat e Spitaleve Ushtarake në disa Zona Operative, duke kryer afër 500 ndërhyrje operative dhe mbi 20.000 vizita pacientësh.

Jusuf Bytyçi

Malishevë, 29 qershor

Me rastin e përvjetorit të 20-të të plagosjes, plagëve të rënda të luftës, ish-ushtari Feim Krasniqi nga Damaneku i Malishevës, invalid i luftës së UÇK-së, kujton angazhimin e tij dhe të shokëve-bashkëluftëtarë për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. I angazhuar në kuadër të Njësitit “Hekuri 24 Mrasor”, të Brigadës 124 të Zonës Operative të Pashtrikut, ai rrëfen për plagët e rënda në këmbë që kishte marrë gjatë përballjes direkte mes tyre si ish-ushtarë të UÇK-së dhe forcave serbe.

Me këtë rast, Feim Krasniqi, shpreh fjalët më të përzemërta për kujdesin maksimal të mjekut kirurg-urolog, Agim Hazrolli, i angazhuar mjek i luftës në disa nga Spitalet Ushtarake të disa Zonave Operative. Invalidi i luftës së UÇK-së, falënderon mjekun, Dr. Agim Hazrolli dhe shton se “njëzetë vjet më parë, falë Zotit dhe kujdesit maksimal të mjekut, Dr. Agim Hazrolli, dhe personelit ndihmës, sot jam i gjallë. Falë Zotit dhe Dr. Agim Hazrollit, shpëtova, dhe sot po e gëzoj dhe po e shijoj Lirinë”, ka thënë Krasniqi! Falënderoj Zotin dhe shokët e mi që bënë të pamundurën, duke më dhënë ndihmën në momentet që unë po përballesha me plagën e rëndë në këmbë. Jam plagosur pikërisht më 29 qershor të vitit 1998, rrëfen Feimi, njëzet vjet pas.

Dr. Agimi dhe shokët e tij, treguan përkushtimin maksimal ndaj të plagosurve të shtrirë në Spitalin e improvizuar Ushtarak në fshatin Gajrak, që vepronte në kuadër të Zonës Operative të Pashtrikut (ZOP). “Ky mjek me ekipin e tij, më shpëtuan jetën, më shëruan edhe sot unë jetoj, e gëzoj lirinë, e kam krijuar familjen. Për këtë Liri dhe mundësi të krijimit të familjeve tona, kanë luftuar me shekuj para ardhësit tanë, luftuam edhe ne, dhe tash e gëzojmë edhe shtetin e Pavarur, e gëzojmë Republikën e Kosovës, po i shijojmë frytet e luftës për Liri”! Kështu shprehet invalidi Feim Krasniqi, nga Damaneku i Malishevës, ndërsa nuk ka harruar të përmend edhe shokët tjerë të tij po ashtu të plagosur atyre ditëve dhe më pas dhe që po ashtu kanë marrë ndihmën e po të njëjtit mjek. “Jam krenar që mbaj në trup plagët e Lirisë si Vulë e Lirisës së Atdheut”, është shprehur ai!

Invalidi Feim Krasniqi ka veçuar edhe invalidët Isa Krasniqin, nga Këpuzi-Zajmi i Klinës dhe Isuf Gashin-Baca, nga Drenoci i Rahovecit. Isa Krasniqi, tash e disa vite është në krye të Agjencisë së Statistikave të Republikës së Kosovës
Po ashtu me shumë respekt ai ka kujtuar edhe ish-komandantin e tij, dëshmor kombi Skënder Rexhepi.

“Lavdia u takon më së shumti dëshmorëve, edhe komadantit tim, Skënder Rexhepit. Po ashtu, lavdi dhe respekt edhe ish-bashkëluftëtarëve që mbijetuan si invalidë të luftës, me plagë të rënda! Respekt për mjekun urolog Dr. Agim Hazrollin, që ndonëse në kushte tëpër të rënda, me përkushtim dhe shumë mund ka kryer misionin e tij të mjekut edhe në vijat e frontit dhe me lëvizje të shumta të “Spitaleve” të improvizuara. Dr. Agimi, ka dëshmuar përkushtimin maksimal të mjekut, misionit të tij të shenjtë në kohët më të rënda të përballjes së ish-luftëtarëve të UÇK-së në Beteja të shumta.
Lufta ishte jo vetëm një mundësi e dëshmisë së mjekëve për të kryer si duhet punën e tyre e për të dëshmuar betimin e Hipokatit, por ishte edhe sprovë dhe sfidë e mjekëve guximtarë, si Dr. Agimi!
Lavdi dhe shumë respekt këtij mjeku të dëshmuar që dha kontribut të madh për këtë Liri e Pavarësi që po e gëzojmë sot si popull!

Ndërsa mjeku Dr. Agim Hazrolli, ka kujtuar si ditë të veçantë, 6 majin e vitit 1998, kur e kishte dhënë provimin specialistik në Ljubjanë të Sllovenisë. Vetëm dy ditë pas, ai ishte kthyer në Kosovë, për t’ua aktivizuar në UÇK, më 12 maj1998, duke bërë një rrugëtim goxha të zorshëm, deri më 12.06.1999 në tri Zona Operative, në atë të Pashtrikut, të Drenicës dhe të Noredimes.

Sipas rrëfimit, Dr. Agim Hazrolli, kirurg-urolog, që pos ish-luftëtarëve të lirisë, u shërbeu edhe mijëra të civlëve të plagosur e të tjerë të nevojshëm për ndihmën e mjekut, gjatë këtij rrugëtimi, ai ka pasur një volum punësh me rreth 20.000 vizita dhe afër 500 ndërhyrje operative. Për suksesin e tij, Dr. Hazrolli, ka shprehur fjalë miradie edhe për ekipin e tij shoqërues të shkëlqyshëm, profesionistë dhe të konsoliduar. Të gjitha operimet, ky mjek i ka realizuar në kushte të rënda, të përballjes me mungesë mjetesh adekuate. Kam amputuar këmbë kryesisht pa narkozë, ka thënë Dr. Agimi.

Dr. Agim Hazrolli, i lindur më 1962 në Banjë të Malishevës, është fëmija i pestë nga nëntë fëmijët e Isuf dhe Arife Hazrollit. Ky mjek, padyshim ka merituar Medaljen më të lartë për Liri dhe Pavarësi!

Legjenda: Foto 1. Të plagosurit Feim dhe Isa Krasniqi dhe vizitori Skënder Rexhepi, dëshmor kombi

F. 2, 3, 4. Dr. Agim Hazrolli, kirurg urlog që i operoi dhe shëroi ish-ushtarët e UÇK-së, por edhe civilët e plagosur. Amputimet e realizuara pa narkozë.