Invalidët e luftës

24.03.2019 03:30:37

Nga Liri Loshi

Të jesh invalid i luftës do të thotë të kesh dëmtim trupor dhe funksional si pasojë e plagëve apo lendimeve të luftës. Invalid do të thotë i paaftë. Nuk di çfarë kriteresh kanë respektuar kolegët e mi mjekë kur kanë vendosur që ta vlerësojnë një ish ushtar të UÇK-së si invalid lufte. Nuk je invalid i luftës vetëm pse trupin tënd e ka përshkuar një predhë granate, apo një plumb i pushkës! Unë kam mjekuar shumë plagë në luftë, por pas trajtimit mjekësor shumë të plagosur janë kthyer në gjendje normale. Ata sot nuk duhet të jenë invalid. Edhe nëse kam lëshuar ndonjë raport të tillë, ai nuk duhet të shërbejë si bazë për invaliditet nëse personi nuk është vërtet invalid.

E kam një shënjë (cicatrix i themi në mjekësi) në këmbën e majte nga një gacë që më kishte hyrë brenda qizmes kur isha i vogël, kur ende nuk kisha mësuar të flisja dhe në vend se me fjalë, ndihmën e kisha kërkuar përmes vajit e bërtimës, por meqë nana ime kishte qenë e zënë me punët e shtëpisë jashtë dhomës ku gaca po kryente punë në këmbēn time, askujt tjetër nuk i kishte rënë ndërmend se unë kisha një zor pse po qaja! Mbase kishin menduar se po provoja tonin dhe ngjyrat e zërit tim për superstar të muzikës në të ardhmen! Më bëhet se më kujtohet, ose më kanë treguar dhe tash e ngatërroj me mbamendjen, se kur erdhi nana e ma hoq qizmen, tashmë gaca kishte djegur lëkurën dhe kishte përfshirë edhe ashtin! Kjo shënjë imja është shumë më e gjerë dhe më e thellë sesa disa shenja të invalidëve të luftës!

Si mjek në luftë kam kuptuar një fenomen interesant: plumbi i pushkës zakonisht përshkonte muskujt duke krijuar hyrjen dhe daljen në muskuj. Pra aty ku kishte muskuj tē zhvilluar plumbi zakonisht nuk e prekete ashtin fare. Nuk i preket as arterjet, apo venat e mëdhaja. Kjo duket të jetë në harmoni me ligjet e fizikës ku plumbi duke kërkuar rrugët më të lehta, pra indet që bëjnë më pak rezistencë, i shmanget ashtit ku rezistenca është më e madhe e po ashtu edhe enēve të gjakut qoftë për shkak të rrallësisë së tyre, për shkak të rezistencës, apo për shkak të rrëshqitshmërisë në indin e tyre që ka njëfarë plasticiteti. Natyrisht se rol të veçantë luan edhe distanca, lloji i armës, përkatësisht predhës dhe sidomos këndi i goditjes së plumbit. Po flas kryesisht nga pervoja në luftë, se kirurgjjinë luftarake si lëndë që e kishim në fakultet të profesori Muharrem Gashi e kam harruar bukur mirë. Pra, ajo që po dua të them është se jo çdo plumb në trup krijon invaliditet. Nganjëherë një lëndim në komunikacion, në punë, apo aktivitet sportiv mund të shkaktojë lëndime dhe dëme më serioze sesa një plumb i pushkës.

Në luftë goditjet me plumb më shumë shkaktojnë vdekjen sesa që lënë pasoja nëse shpëton i plagosuri. Përfundimi fatal ngjet kryesisht për shkak të gjakderdhjes e ndonjëherë prej infeksionit për shkak të kushteve specifike që nuk japin mundësi për një intërvenim adekuat, siç është transfuzioni për kompenzimin e gjakut të humbur, apo mbyllja e plagëve të organeve të brendshme, mbështjellēsit të tyre (peritoneumit) dhe shtresave tjera deri të lëkura për ta ndalur kështu gjakderdhjen dhe mbyllur portat e infeksionit. Pikat e ndieshme janë koka ku bën pjesë fytyra, pastaj qafa, xhoksi dhe barku, meqë në këto pjesë janë organet vitale. Në sistemin skeletor pikat e dobëta janë nyjet për shkak të kompleksitetit që kanë me eshtra, meniskuse, tetiva muskujsh dhe ligamente. Këso plagësh janë të vështira për t’u mjekuar në luftë, por fatbardhësisht ato kanë qenë shumë të rralla, së paku në lokalitetet ku kam punuar unë. Përndryshe lëndimet në këto pjesë kanë gjasa reale për të shkaktuar invaliditet.

Kam përshtypjen se komisioni Invalidor në Kosovë e ka shpërblyer me shkallë invaliditeti çdo person që ka përjetuar goditje, përkatësisht shpim të indeve nga plumbat në luftë, apo secilin që ka qenë në gjendje ta tregojë një shënjë të lëndimit e që fare lehtë mund të ketë ndodhur edhe para lufte, apo edhe pse lufte. Për shembull, vrraga e plagës sime nga një gacë zjarri e përshkruar më lart, lirisht ka mundur të kualifikohej si plagë lufte dhe unë të klasifikohësha si invalid! Mjekët sikur kanë ndier obligim moral që t’ia respektonin luftën dhe sakrificën secilit që kishte një indikacion sado të vogël se ishte lënduar në luftë. Kjo qasje moralisht është e drejtë, por profesionalisht e gabueshme. Mjekët është dashur të merreshin vetëm me vlerësimin e lëndimeve dhe dëmtimet funksionale si pasojë e plagëve të luftës. Këtu nuk po flas për ata që lëndimet e jetës civile i kanë raportuar si lëndime në luftë, sepse përveç pëshpëritjeve, nuk kam informacion të saktë për një gjë të tillë. Por, është turp i madh si për mjekun, ashtu edhe për luftëtarin që të caktohet shkallë invaliditeti kur ajo nuk egziston.

Po e marrim rastin e Ramush Haradinajt, meqë është emër i njohur dhe meqë dihet se ka qenë I plagosur në luftë. Por, prej aeroplanit shihet se ai nuk është invalid! Është turp për ata mjekë që kanë caktuar shkallë invaliditeti për të. Rast identik është edhe ai i Sami Lushtakut. E raste të tilla mund të jenë të panumërta. Por meqë i përmenda këta dy persona, le të dalin para publikut, meqë të dytë janë politikanë me “profesion” dhe të na tregojnë sinqerisht se për çka nuk janē tē aftë sot si pasojë e plagëve në luftë. Vetë le ta pranoinë se ata janë të paaftë për një çfarëdo aktiviteti fizik. Unë perseri ua respektoj plagët, sepse ato mesiguri ekzistojnë dhe janë plagë të sakrificës, ose më mirë të them plagë të lirisë. Por, nuk e respektoj shkallën e invaliditetit në bazë tē secilës ata gëzojnë pensionet, se ai invaliditet supozoj se nuk ekziston.

Shoqëria jonë nuk ka qare pa iu kthyer rivlerësimit të invaliditetit të luftës, sepse ne nuk mund tê shohim me sytë tanë individë që siç thotë populli “e ndalin thiun më fuqinë e tyre”, si Ramush Haradinajn për shembull, dhe që gëzojnë paga mujore në emër të invaliditetit! Pa marrë parasysh meritat e tyre të luftës dhe sakrificën për liri. Sidoqoftë, para se të bëhet ky lloj rivlerësimi, është mirë që të ndodh reflektimi i vetë atyre që janë seleksionuar si invalidë dhe që nuk e ndijnë veten të tillë. Mirë do të ishte që këtij reflektimi t’i prinin Ramush Haradinajt dhe Sami Lushtaku, si dy ish komandantë zonash me mjaft përgjegjësi. Nëse nuk e bëjnë këtë janē shumë të vegjel në shpirt, sepse asnjëri dhe as tejtri nuk varen nga paga e invalidit që e gëzojnë dhe që unë hapur supozoj së nuk e meritojnë. Sidoqoftë, unë besoj se fakti qē ata e gëzojnë pensionin invalidor është më tepër për shkak të mjekëve, por nuk mund të njorohet as egoizmi i tyre. Pas Ramushit dhe Samiut do të binin tërë invalidët e rrejshëm të Dukagjinit dhe Drenicës. Kjo do të ishte fitore politike dhe morale për Ramushin, Samiun dhe sishokët e tyre dhe do të ishte fitore morale e materiale për Kosovën.