Inzko: Nuk i kërkoj falje Dodikut dhe Ivaniqit

17.01.2017 16:36:23
Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnjë Hercegovinë, Valentin Inzko, ka deklaruar se nuk do t’i kërkoj falje zyrtarëve të lartë serbë në Bosnjë Hercegovinë, Millorad Dodik dhe Mlladen Ivaniq, për shkak se datën 9 janar e kishte krahasuar me themelimin e Shtetit të Pavarur Kroat.
“Dodikut dhe Ivaniqit nuk do tu kërkoj falje. Ata e kanë nxjerrë deklaratën time nga konteksti dhe thanë se unë e kam ofenduar popullin serb, por kjo sigurisht nuk ishte qëllimi im. Kam kuptuar se komentet e mia kanë mundur t’i ofendojnë qytetarët e zakonshëm dhe për këtë shprehi keqardhje”, tha Valentin Inzko për rrjetin TV1 në Sarajevë.

“Kam folur për datat problematike, konretisht për 9 janarin, i cili shumë viktima i përkujton në tmerret e luftës”, tha zoti Inzko dhe ka shtuar se “disa me qëllim i kanë komentuar fjalët e mia”, raporton agjencia Beta.