Ipeshkvi i Kosovës: S’ka paqe pa kisha e xhami

09.10.2016 12:16:16

Qindra qytetarë po marrin pjesë në meshën e shugurimit të Kishës së Llapushnikut në Drenas
(I plotësuar 12:05) – Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka deklaruar se paqja ndërtohet vetëm duke respektuar kishën e xhaminë, duke dashur njëri-tjetrin dhe duke respektuar shtetin

Në Llpaushnik të Drenasit po mbahet mesha për shugurimin e kishës së “Shën Abrahamit”. Mesha po udhëhiqet nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, shkruan lajmi.net

Gjergji ka deklaruar se nuk ka paqe pa dashuri, pa kisha e xhami dhe pa shtet. Ai ka shtuar se Zoti i ka krijuar njerëzit të jenë të lirë dhe jo të sundohen.

Pse duhet të përpiqemi që t’ia okupojmë shpirtin njëri-tjetrit dhe të mos lejojmë që të jetojmë të lirë. Një mysliman dhe një i krishterë mund të jetojnë në paqe. Për këtë jemi dëshmitarë, disa i janë kthyer fesë së të parëve, që do të thotë të krishterë, dhe disa kanë vendosur që të jenë mysliman, fesë së baballarëve dhe nuk ka asgjë të keqe”, ka deklaruar Gjergji.

“Ky identitet fetar dhe kombëtar që na bashkon, na jep neve të gjithëve domethënie të veçantë para botës”.

“Simboli i sakrificës së Jasharajve, në vend të kullave, vendi është rrethuar me varre. Ata janë shembulli më i mirë i artit të jetuarit pa nënshtrim ndaj okupimit”.

***

Shumë qytetarë janë detyruar të lënë veturat larg nga kisha dhe të ecin këmbë, për shkak të bllokimit të rrugës, raporton lajmi.net

Në këtë meshë po marrin pjesë edhe liderë institucionesh, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministrat Kujtim Shala e Enver Hoxhaj, kryetari i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, e të tjerë.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka falënderuar të gjitha institucionet për kontributin në ndërtimin e kësaj kishe, veçanërisht kryetarin e komunës së Drenasit.