Irak, 8 të vrarë nga dy sulme kamikaze afër një vendi të shenjtë shiit

01.01.2017 17:59:12

Zyrtarët në Irak kanë bërë me dije se të paktën 8 persona janë vrarë nga dy sulme kamikaze afër zonës së shenjtë për shiitët, Najaf.

Zyrtarë policor dhe të një spitali kanë thënë sot se sulmi ndaj një pike kontrolli në Najaf, rreth 180 km në jug të kryeqytetit, Bagdad, ka lënduar 22 persona të tjerë, përfshirë shumë policë.

Dëshmitarët i kanë thënë agjencisë së lajmeve DPA, se sulmuesit kanë hapur zjarr ndaj pikës së kontrollit në Najaf, para se të hedhin vetën në erë me aktivizimin e rripit të mbushur me eksploziv.

Sulmet janë kryer një ditë pasi një sulmues tjetër ka vrarë 28 persona në një treg të Bagdadit.

Përgjegjësinë për këtë të fundit e ka marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik, i cili shiitët i konsideron si heretikë.

Për sulmin në Najaf ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë.

Militantët e IS-it kanë shtuar sulmet gjatë javëve të fundit pasi forcat qeveritare të përkrahura nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA-të janë duke bërë përpjekje për rimarrjen e kontrollit mbi qytetin, Mosul. Ky qytet është okupuar nga IS-i në vitin 2014.