Irani dhe fuqitë botërore bisedojnë për marrëveshjen bërthamore

28.07.2019 16:12:29

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi është takuar me përfaqësuesit e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Kinës, për të diskutuar lidhur me atë se si të shpëtohet marrëveshja bërthamore e arritur më 2015, ndërmjet Teheranit dhe fuqive botërore.

“Atmosfera ishte konstruktive. Diskutimet ishin të mira. Nuk mund të them se kemi zgjidhur gjithçka, por mund të them se aty (në takim) janë bërë shumë zotime”, tha Araqchi për agjencinë Reuters, pas takimit që u zhvillua më 28 korrik në Vjenë, ndërmjet Iranit dhe nënshkruesve të marrëveshjes bërthamore.

Ambasadori rus në Vjenë, Mikhail Ulyanov, ka shkruar në Twitter se këto bisedime “bën të mundur që të diskutohet gjerësisht situata rreth zbatimit të marrëveshjes”.

“Është e qartë se sanksionet amerikane kanë ndikuar në mënyrë negative në zbatimin e marrëveshjes bërthamore. Megjithatë, të gjithë të pranishmit janë plotësisht të përkushtuar ndaj marrëveshjes”, shkroi Ulyanov.

Takimi në Vjenë u thirr në përgjigje të përshkallëzimit të tensioneve ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015, Irani ishte zotuar se do të kufizonte programin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Por, presidenti i SHBA-së, Donald Trump u tërhoq nga kjo marrëveshje vitin e kaluar dhe rivendosi sanksione ekonomike ndaj Teheranit.

Franca, Gjermania dhe Britania janë munduar që ta shpëtojnë marrëveshjen dhe kanë propozuar një sistem të komplikuar të shkëmbimit financiar, që është i dizajnuar për të siguruar një lehtësim ekonomik për Iranin e goditur nga sanksionet amerikane, transmeton rel.

Megjithatë, Irani është ankuar se palët që vazhdojnë të jenë ende në këtë marrëveshje, kanë dështuar që zbusin efektet e sanksioneve të SHBA-së mbi industrinë bankare dhe të naftës.