Irlandë, shqiptarët në krye të listës të azilkërkuesve

04.11.2019 17:28:53

Nuk është vetëm Franca e shqetësuar nga rritja e numrit të azilkërkuesve shqiptarë.

Vëmendjen te ky fenomen e ka tërhequr edhe kryeministri i Irlandës, Leo Vardkar, i cili deklaroi se qytetarët shqiptarë dhe ato gjeorgjianë janë shtysa kryesore në rritjen e kërkesave për azil me të cilën po përballet vendi i tij.

Shefi i ekzekutivit irlandez u shpreh se emigrantët nga të dy këto vende udhëtojnë në shumë prej rasteve drejt Irlandës me dokumente të rreme.

Mediat vendase shkruajnë se qytetarët e nacionalitetit shqiptar dhe atij gjeorgjian, konkurrojnë bindshëm edhe me sirianët.

“Qeveria po shton kontrollet në aeroporte për t’i ndaluar që të vijnë këtu dhe i kemi kërkuar linjave ajrore që t’i kthejnë pas”, u shpreh kryeministri.

Ka shumë mënyra për të hyrë në Irlandë në mënyrë të ligjshme, ndaj nuk do t’i tolerojmë ato ilegale, ka shtuar ai.

Sipas të dhënave të Eurostatit, 26% më shumë shqiptarë kërkuan azil për të parën herë në një nga vendet e BE-së gjatë 3 muajve të parë 2019.