IS merr përgjegjësinë për sulmin në zyrat e Save the Children

24.01.2018 13:02:56

Zyrtarët afganë kanë thënë, se të paktën dy persona janë vrarë dhe 12 të tjerë janë lënduar në një sulm në zyret e agjencisë ndërkombëtare për ndihma, Save the Children në Jalalabad.

Grupi militant, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Një sulmues vetëvrasës ka aktivizuar një makinë-bombë jashtë zyreve të organizatës në qytetin lindor, ka thënë zëdhënësi për guvernatorin e Provincës Nangarhar, Attaullah Khogyani.

Më pas një grup i personave të armatosur ka hyrë në ndërtesë dhe ka filluar përleshjen me forcat e sigurisë, ka thënë ai.

Ai ka thënë më vonë se një zyrtar policor, një civil dhe sulmuesi i dytë janë vrarë, duke shtuar se sulmuesi i tretë është duke luftuar ende.

Shefi i policisë së Nangarhar-it Abdul Rahman Rahimi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se është duke vazhduar operacioni ushtarak për të pastruar zonën nga sulmuesit, shkruan rel.

Është raportuar se kanë qenë të paktën tre persona të armatosur.

Në një deklaratë dërguar mediave, zëdhënësi i grupit të talibanëve ka kundërshtuar ndonjë përfshirje të këtij grupi në sulmin e sotëm.

Qeveria e Kabulit e mbështetur nga Perëndimi, është përballur me talibanët dhe grupe të tjera militante nga tërheqja e shumicës së trupave të NATO-s më 2014.

Në një deklaratë të zëdhënësit të Save the Children, është thënë se grupi është “i dëshpëruar”, pas lajmeve për sulmin duke shtuar se “shqetësimi ynë primar është për sigurinë e stafit tonë”.