Isa Mustafa: Absurde që për “Trepçën”, pasuritë dhe për tërësinë territoriale të Kosovës të dialogohet me Serbinë!

05.02.2019 17:18:12

Pas qëndrimit të fundit të Brukselit se për “Trepçën” duhet dialoguar në Bruksel, ka reaguar kryetari i LDK-së, dhe ish-kryeministër i vendit. Isa Mustafa.

Në një postim në facebook, z. Mustafa ka kujtuar se kur ka qenë kryeministër është përgatitur dhe është miratuar ligji për “Trepçën”, duke shpëtuar nga falimentimi dhe privatizimi.

Po ashtu ai sjell në vëmendje edhe votimin me 2/3 të statutit të “Trepçës”, me çka LDK dëshmon unitetin e saj karshi interesave të vendit.

Krejt në fund , z. Mustafa bën thirrje për bashkim që të kundërshtohet dialogimi për çështjet e sovranitetit dhe integritetit territorial, dhe të shtetësisë, në emër të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Ky është postimi i plotë i z. Mustafa:

Të nderuar qytetarë
Më habiti kërkesa e BE-së që çështja e Trepçës të trajtohet në dialogun me Serbinë. Kosova në asnjë fazë nuk ka pranuar që për Trepçën dhe pasuritë e saj natyrore, të cilat janë në territorin e saj, të dialogojë me Serbinë. Është kjo një kërkesë absurde dhe e papranueshme, ashtu siç është e papranueshme që me Serbinë të dialogohet për kufijtë dhe për territorin e Kosovës. 
Në mandatin, kur unë isha Kryeministër i vendit, përgatitëm dhe aprovuam Ligjin për Trepçën, duke e shpëtuar këtë simbol ekonomik të vendit nga falimentimi dhe privatizimi. Deputetët e LDK-së votuan para disa ditësh Statutin e Trepçës, i cili mori 2/3 e votave në Kuvend. Kjo flet për unitetin tonë karshi interesave jetike të vendit.
Duhet të jemi bashkë dhe fuqishëm të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror. Çështjet e shtetësisë sonë! Sepse, kështu si kanë filluar, një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë! IM