Isa Mustafa: LDK do ta rikthejë Prishtinën, Shpendi nuk punoi asgjë

Isa Mustafa: LDK do ta rikthejë Prishtinën, Shpendi nuk punoi asgjë

14.10.2017 10:11:40

Kryetari  i LDK-së , Isa Mustafa,  tha se zgjedhjet e 22 tetorit do të shënojnë fitoren e partisë së tij në Prishtinë.

Ai tha se pret që pret shumë nga këto zgjedhje dhe sipas tij, analizat e para tregojnë se LDK do t’i fitojë disa komuna.

“Shoh shanse që shumë komuna të shkojnë në balotazh , por që pres që do t’i fitojmë disa komuna të mëdha dhe të rëndësishme qysh në raundin e parë”, tha Mustafa në  RTK, duke shtuar se pret që partia e tij të dal e para nga këto zgjedhje.

Ai tha se kandidimi i Arban Abrashit nga LDK-ja për Prishtinën ka qenë zgjedhje e mirë, i cili është një kandidat i përgatitur mirë si për problemet sociale ashtu edhe për qeverisje lokale.

“Sikur të kishte punuar mirë Shpend Ahmeti sigurisht se do të ishte më vështirë që të merret kryeqendra, por duke i  parë dështimet e tija dhe mos-punën, atëherë kjo ia mundëson LDK-së që ta rikthejë Prishtinën”, tha Isa Mustafa.

“Ai, Shpendi nuk ka punuar bash kurrgjë, vetëm ka bërë propagandë. Asgjë nuk është punuar nga ajo që e kemi lënë ne si projekte të mëdha. LDK e ka lënë të përgatitur projektin e ujit, ndërtimin e Fabrikës në Shkabaj,  ne i kemi përfunduar gati të gjitha objektet arsimore, ku për katër vite të mandatit të Shpendit nuk e ka ndërtuar asnjë shkollë. Pra, s’ka asnjë projekt të rëndësishëm që është bërë gjatë këtyre katër viteve. Nuk e di me çfarë projekti do të dal Vetëvendosja përveç me parulla “, tha Mustafa në RTK .