Isa Mustafa mobilizon kryetarët e degëve të LDK-së para zgjedhjeve në parti

18.07.2019 14:58:24

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka takuar të parët e degëve të këtij subjekti, para zgjedhjeve të brendshme të cilat mbahen më 3 gusht.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media nga ky subjekt, shkruan lajmi.net.

“Në takim u diskutua rreth përmbylljes së procesit zgjedhor brenda LDK-së që do të kulmojë me Kuvendin e LDK-së më 3 gusht ku do të zgjidhen kryetari dhe Këshilli i Përgjithshëm që më së miri do të implementojnë parimet programore të LDK-së. Këto organe udhëheqëse do të përgatisin LDK-në, në ndërlidhje të ngushtë me qytetarët e Kosovës, për fitoret e radhës në zgjedhjet lokale dhe qendrore për t’i dhënë vizion dhe orientim temave të mëdha me të cilat po ballafaqohet Kosova”, thuhet në komunikatë.

Kuvendi i LDK-së do të ketë karakter solemn ku do të rikonfirmohet puna dhe performanca e LDK-së, fuqia politike dhe lidhja e fuqishme tridhjetëvjeçare e LDK-së me popullin e Kosovës, theksohet në komunikatë.