Isa Mustafa për vizitën e Grenellit: Amerikanët janë të gatshëm ta mbështesin marrëveshjen në mënyrë konkrete

21.09.2020 17:39:50

Emisari Special i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell bashkë me 13 zyrtarë të tjerë amerikanë do të qëndrojnë sot në Kosovë, ku do të takohen vetëm me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe jo edhe me përfaqësuesit politikë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa tha se vizita e tanishme e Grenellit dhe delegacionit amerikan është për t’i implementuar dhe harmonizuar projektet të cilat janë në marrëveshjen e nënshkruar me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa në një intervistë dhënë për kp ka folur edhe për kritikat që janë bërë ndaj Qeverisë Hoti lidhur me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington si dhe për rihapjen e temës së Asociacionit në BE.

Mustafa derisa ka treguar se Grenell nuk do të takohet me zyrtarë të LDK-së dhe ndonjë partie tjetër, ka shtuar se vlerëson vizitën e sotshme të tij meqë, sipas tij, kjo tregon se amerikanët janë të gatshëm ta mbështesin marrëveshjen në mënyrë konkrete.

“Kësaj radhe Grenelli me delegacionin e investitorëve amerikanë vijnë kryesisht për implementimin marrëveshjes dhe për harmonizimin e projekteve të cilat janë në marrëveshje, nuk është paraparë të ketë takime politike as me LDK-në e as me të tjerët me sa di. Do të ketë takime vetëm me Qeverinë. E vlerësoj që është një hap shumë i mirë sepse po tregohet që amerikanët nuk kanë qenë të gatshëm vetëm ta ndërmjetësojnë një marrëveshje por edhe janë të gatshëm tani ta mbështetin atë marrëveshje në mënyrë shumë konkrete në implementimin e saj që është implementim material”, tha Mustafa.

Në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, u kritikua ashpër sidomos në pikën e Liqenit të Ujmanit, për çka Mustafa thotë se kritikat kanë qenë të paargumentuara.

“Të kundërshtosh pjesën e Ujmanit, duhet pastaj të ofrosh argumente se çfarë dëme ka që Departamenti i Energjisë së SHBA –së e ka marrë për obligim që ta bëjë një studim fizibilitetiti për shfrytëzimin e ujërave të Ujmanit, qoftë energji elektrike, qoftë për bujqësi. Nuk ka asnjë të keqe sepse për mua do të ishte shumë mirë në qoftë se ne do ta kishim gatishmërinë e SHBA-së dhe Gjermanisë që ato të bëjnë studime fizibiliteti për shfrytëzimin e gjitha resurseve që Kosova i ka sepse kanë potencial shkencor, e profesional dhe kanë dije që të bëjnë atë punë më shumë se sa që kemi ne. Prandaj, nuk ka asnjë arsye që ne të frikësohemi nga kjo. Marrëveshja nuk është bërë për ndarjen e Ujmanit, nuk është bërë për pronën e Ujmanit është bërë vetëm për shfrytëzimin më efecientë të ujërave të Liqenit të Ujmanit”, potencoi Mustafa.

Mustafa ka folur edhe për njohjen e Kosovës nga Izraeli, me ç’rast ka theksuar rëndësinë e kësaj njohje dhe ndikimin e saj në aspektin ekonomik.

“Procedura e vënies së marrëdhënieve diplomatike ec rrugës së vetë, bëhet përmes notave të cilat do t’i shkëmbejë Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme me Qeverinë e Izraelit. Zotim më të madh se me të thënë kryeministri i Izraelit që po të njoh s’do të thotë në Shtëpinë e Bardhë, nuk ka. Dhe ne nuk kemi asnjë arsye që ta kontestojmë këtë se a ka pas përnjëmend kryeministri izraelit apo jo. Deklarata është dhënë, kjo deklaratë realizohet përmes proceseve diplomatike të cilat zhvillohen mes Kosovës dhe Izraelit dhe besoj që ato do të bëhen shpejt dhe do të kemi ambasadën tonë atje dhe besoj që do të arrijmë që ta intensifikojmë bashkëpunimin i cili mund t’i shërbejë Kosovë jo vetëm në pikëpamje të drejtpërdrejt në relacionin Izrael –Kosovë por edhe në efektet indirekte sepse Izraeli ka ndikim shumë të madh ekonomik në disa vende me të cilat ne nuk kemi pas bashkëpunim apo lidhje me to”, tha Mustafa.

Ditë më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi drejtoi kritika ndaj kryeministrit të vendit, Avdullah Hoti lidhur me hapjen e Asociacionit në Bruksel, duke e quajtur gabim të madh e të rrezikshëm për Qeverinë e Kosovës.

Për çka Mustafa sikurse edhe Hoti e kanë mohuar që Asociacioni të ketë qenë temë diskutimi në Bruksel.

Kryetari i LDK-së, parti kjo që po udhëheq me vendin, ka thënë se në Bruksel është propozuar që të diskutohet për statutin e Asociacionit por që siç thotë ai, pala kosovarë nuk ka pranuar të bëhet një diskutim i tillë. Derisa për deklaratat e Thaçit ai tha se vetë presidenti kishte negociuar për linjën e Asociacionit.

“Nuk ka qenë temë diskutimi por është propozuar nga palët në Bruksel që të diskutohet për statutin e Asociacionit. Pala kosovare nuk ka pranuar kësaj radhe që të diskutohet për Asociacionin, çka do të bëhet më vonë, si do të harmonizohet kjo me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian është çështje tjetër sepse duhet të gjenden argumente. Mirëpo nuk shoh asnjë arsye tek deklarata që ka dhënë Zyra e Presidentit pse këtë, sepse vetë presidenti Thaçi e ka negociuar marrëveshjen për linjën e Asociacionit, marrëveshjen e parë. Sepse marrëveshja e parë në gjashtë pikat e para flet për themelimin e Asociacionit. Vetë ajo qeveria e ka prezantuar ligjin për ratifikim të marrëveshjes para Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendi e ka miratuar një gjë të tillë.

Prandaj, nuk mund të themi se tani është rrezik që kjo qeveri të negociojë diçka ose të flasë për diçka që qeveria e mëparshme ka marrë obligime ose i ka krijuar obligime vendit dhe është e pandershme që pastaj problemi t’i bartet zotit Hoti apo Qeverisë Hoti mbi barrë sepse ekziston një ligj për ratifikimin e asaj marrëveshje. Në qoftë se Kuvendi dhe të gjitha partitë në Kuvend thonë jo, atëherë të gjitha ato partitë do ta marrin për obligim që po e rishqyrtojmë ligjin për ratifikim e marrëveshjes dhe në rishqyrtim aty me 2/3 e anulojmë këtë ligj. Sepse derisa sa ligji është në fuqi, ligji duhet të zbatohet”, tha Mustafa

Mustafa pranon të ketë negociuar për marrëveshjen e Asociacionit të bërë në 2015-ën por thotë se ai negocioi vetëm për parimet e jo për themelimin.

“Secili prej neve kemi punuar, edhe unë kam punuar, kam negociuar për marrëveshjen e 2015-ës për parimet, jetësimin, jo për themelimin se për themelimin u vendos dy vite përpara. Por unë tash nuk mund të them unë s’kam qenë, të gjitha punët që kam bërë i pranoj publikisht që i kam bërë, por i kam bërë për të jetësuar ligjin për ratifikim e marrëveshjes. As Thaçi tash nuk mund të thotë që zoti Hoti nuk guxon të dialogojë në Bruksel për punë të brendshme të Kosovës. Në Bruksel nuk është delegacioni i cili dialogun për punë të brendshme të Serbisë por dialogun për relacionet që duhet të sqarohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke mos dhënë asnjë pjesë të sovranitet të vendit e as territorit të vendit por duke gjetur një zgjidhje e cila funksionon në mënyrë që Serbia ta pranojë Kosovën dhe Kosova-Serbinë. Por kurrsesi që të mblidhet Kuvendi dhe t’ia merr të drejtën kryeministrit të dialogojë në Bruksel, sepse ai duhet të dialogojë diçka, prandaj nuk është parimore dhe nuk është në rregull. Sepse përmes kësaj nuk mundet të përfitojë askush politikisht. Mendoj që ka një tendencë të përfitimeve politike dhe shpalljeve të njerëzve që po e tradhtojnë Kosovën ose po i bëjnë dëm Kosovës”, theksoi Mustafa.

Veprimet e kryeministrit Hotit, sipas Mustafës e rikthyen Kosovën në Uashington dhe në Bruksel. E ai thotë edhe se opozita ka tendenca që pa arsye të fajësojë Qeverinë Hoti.

“Jam shumë i bindur që Hoti me veprimet e tij i ka bërë mirë Kosovës sepse e ka rikthyer në agjendën ndërkombëtare dhe e ka rikthyer Kosovën në Uashington ku s’ka qenë që tri vitet e fundit dhe e ka rikthyer në Bruksel ku nuk kemi pas kurrfarë relacioni që tri vite, dhe kjo është në të mirë të Kosovës dhe jo në dëm të saj. Kemi një tendencë të opozitës që pa arsye e fajëson Qeverinë Hoti sepse nuk mund të thuash Qeveria Hoti ka shitur interesat e Kosovës ose ka bërë marrëveshje në Uashington kundër interesave të Kosovës. Me thënë është lehtë, çdo njëri mund të thotë por të argumentosh është vështirë. Sepse Kosova gjatë këtyre viteve prej kur është themeluar si shtet nga SHBA ka pas vetëm përkrahje, të mira dhe mbështetje. Ashtu siç kemi pasur mbështetje edhe nga vendet e Bashkimit Evropian dhe nuk mundemi që përmes fajësimit të qeverisë sonë ta njollosim edhe Uashingtonin edhe SHBA-të sepse është një vend i cili pa ndërprerë na ka njohur e as të vënë në dyshim pjesët e marrëveshjes të cilat janë realizuar në Uashington”, tha Mustafa.