Ish-deputete në Kuvendin e Kosovës, Trajkoviq: Serbët nuk mendojnë se Ivanoviqin e vranë Shqiptarët

18.01.2018 21:20:51

Rada Trajkoviq, ish-deputete në Kuvendin e Kosovës ka folur lidhur me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit të martën në veri të Mitrovicës.

Emisioni “Jeta në Kosovë”, ka transmetuar një deklaratë të Trajkoviqit që ajo e dha për një emision në televizion serb “Happy TV”, pas vdekjes së Ivanoviqit.

Në këtë emision, Trajkoviq tha se në mesin e serbëve të Kosovës ekziston besimi se vrasja e politikanit ishte e organizuar nga qarqet serbe.

“Njerëzit janë të frikësuar. Një pjesë e serbëve ka qejf të besojnë që këtë e kanë bërë shqiptarët për ta hequr vëmendjen prej Gjykatës Speciale, e një pjesë ma e madhe, shumica e serbëve besojnë që prapa kësaj qëndrojnë qarqe, fatkeqësisht, të lidhura me Beogradin”, tha ajo.

Ky edicion i “Jeta në Kosovë”, që këtë javë i kushtohet vrasjes së Ivanoviqit dhe situatës në veri të Kosovës trajtoi edhe çështjen e krimit të organizuar në atë rajon dhe lidhjes së tyre edhe me politikën e shqiptarëve të Kosovës.

Përveç tjerash, në këtë emision mund të ndiqni Trajkoviqin tek flet për liderin e një strukture kriminale në Serbi dhe mungesën e lirisë së shprehjes që sipas saj po e vuajnë qytetarët serb në Kosovë nga vetë Beogradi.

“Një zë autentik serb është heshtur. Për ne është pikëllim i madh sepse serbët janë të shqetësuar. Ne tash e një kohë të gjatë nuk po mund të flasim publikisht. Fatkeqësisht, Beogradi nuk po na lë të flasim, i lë të flasin ashtu siç mendon Beogradi”, tha Trajkoviq.

Ndiqni po ashtu debatin me të ftuarit, Lutfi Haziri, politikan dhe Murat Mehmeti, ish –hetues i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës lidhur me situatën e shkaktuar pas vdekjes së Ivanoviqit.