Ish pjesëtari i UÇK-së mohon se u arrestua nga Policia e Kosovës

06.07.2017 14:52:46

Gjatë ditës së sotme mediat kanë raportuar se pjesëtarë të Policisë së Kosovës sot rreth orës 11 kanë arrestuar ish-pjesëtarin e UÇK-së, Besim Vokshi. Sipas raportimeve Vokshi është arrestuar në ndërtesën e Gjykatës Themelore të Gjakovës dhe është transportuar për në Prishtinë. Por lajmin e arrestimit e ka demantuar vet ish pjesëtari i UÇK’së, Besim Vokshi.

Ai për Express ka deklaruar se gjatë ditës së sotme nuk është kontaktuar e as ndalur nga policia. Thotë se që nga mëngjesi gjendet në njërën nga pishinat e qytetit të Gjakovës.

“Nuk është i vërtetë lajmi rreth arrestimit tim. Unë jam në pishinë. Nuk jam kontaktuar nga asnjë pjesëtarë i policisë, e as që kam marrë ftesë për intervistim.”, ka thënë Vokshi.

E ndërkohë që edhe policia rajonale në rajonin e Gjakovës mohon ta ketë arrestuar ish pjesëtarin e UÇK’së.

“Jo ne nuk kemi ndonjë informatë që është arrestuar Besim Vokshi”, ka thënë zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimja.