Ish-presidenti Sarkozy mbështet fitoren e Hillary Clinton

26.09.2016 19:38:22

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy kandidat për parapraket brenda së djathtës në presidencialet e 2017, aspiron fitoren e Hillary Clinton përballë republikanit Donald Trump, u shpreh ai sot, disa orë përpara debatit të parë televiziv midis dy kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë.

I pyetur në lidhje me krahasimin që po aludohet së fundmi midis tij dhe Donald Trump, Sarkozy u përgjigj: “Kam bindjen se për ato që e kanë ngritur një tezë të tillë, nuk është aspak një kompliment. Megjithatë unë i uroj fitoren Hillary Clinton.

“Kjo temë nuk më përket aspak, pasi nuk jam shtetas amerikan, por kam punuar me Hillary Clinton dhe them me bindje se tek ajo duhet të kesh besim, pasi është një grua plot me kurajë”, vijoi ish-presidenti francez, kandidat për t’u emëruar brenda partisë Republikane gjatë paraprakeve në fund të nëntorit.

Në mesin e kandidatëve kryesorë në zgjedhjet presidenciale franceze të 2017, vetëm Marine Le Pen, liderja e ekstremit të djathtë ka shfaqur mbështetjen e saj për Donald Trump.