Ish-presidentja, Atifete Jahjaga e zhgënjyer: Institucionet dështuan t’i dënojnë kryerësit e dhunës në familje

29.05.2018 16:27:08

Ish-presidentja Atifete Jahjaga, tha se institucionet kanë dështuar t’i mbrojnë viktimat e dhunës në familje.

Jahjaga në konferencën “Drejtësi për gratë e vrara në aktet e dhunës në familje”, në kuadër të festivalit, FemArt, shtoi se është e zhgënjyer me mosveprimin e institucioneve në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie.

Ajo shtoi se është fatkeqësi që ende në këtë kohë duhet të diskutohet për tema të tilla për të gjetur zgjedhje dhe forma për të ia mundësuar viktimave të jetojnë të lira dhe jashtë frikës.

“Irritohem kur mendoj se sa i madh është numri i kryesve të veprave të tilla, njerëz të lig që janë në gjendje të ushtrojnë dhunë sistematike ndaj familjes dhe fëmijëve tyre”, tha Jahjaga.

“Ndjehem e zhgënjyer me institucionet përgjegjëse që nuk arrijnë t’i dënojnë dhe t’i sjellin para drejtësisë me kohë kryesit e këtyre veprave, ndjehem e pikëlluar për atë që humbin jetën si pasoj e dhunës së ushtruar ndaj tyre vetëm se janë gra”, tha Jahjaga.

Jahjaga tha se qindra gra kosovare bëhen viktima të dhunës në familje për çdo vit dhe sipas statistikave të vitit të kaluar janë raportuar mbi 1 mijë raste të dhunës në familje dhe me shumë se gjysma kanë qenë gra.

“Dhuna në familje është shkelja më e rëndë njerëzore dhe si dukuri ne duhet ta luftojmë pa asnjë kusht si institucionet dhe shoqëria kur ne vrasim gratë tona ne shkatërrojmë familjet tona dhe rrezikojmë ekzistimin e një shoqërie të shëndoshë”, shtoi Jahjaga.

Zëvendësprokurorja e shtetit, Sedije Morina tha se çdo vrasje është vepër e rëndë sepse dikush privohet nga jeta.

Sipas saj, kjo nuk është problem vetëm në Kosovë, por në nivel global sepse janë të shpeshta rastet e dhunës dhe vrasjeve në familje dhe kryesisht këto kryhen nga partnerët.

“Dhuna në familje është problem global dhe në ballafaqim me këtë dukuri shkatërrohet familje she shoqëria, ndjehem më keq nëse marrim statistikat se sa pak lajmohen rastet e dhunës në familje dhe nuk dalin rastet jashtë mureve të shtëpisë aty ku gruaja duhet të ndjehet e sigurt por s’ka guxim të lajmërojë rastin për arsye të shumë rrethanave dhe elementeve të cilat e krijojnë këtë vështirësi të lajmërimit të rastit”, tha Morina.

Annette Fatih-Lihiq nga Zyra e BE-së, tha se Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian është i përkushtuar në luftimin e këtij fenomeni i cili është duke ndodhur në tërë botën.

“Kam disa vërejtje nga BE-ja në lidhje me këtë temë e cila është e dhimbshme dhe nuk është nje temë aktuale vetëm në Kosovë sepse ne këtë e kemi vërejtur edhe në shumë vende të tjera të botës ashtu edhe si në vendim tim nga vij në Gjermani ka rast të shumta kur gratë janë vrarë nga partnerët e tyre”, tha Fatih.

“Kosova sfidën e parë që ka është për të pasur një fotografi të qartë të këtij fenomeni sepse të dhënat dhe statistikat nuk janë të besueshme dhe këto po e prodhojnë një fotografi të çrregullt”, shtoi Fatih.

Igballe Rugova nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës tha se dhuna në familje dhe ndaj grave është një temë shumë e rëndë dhe duhet të bashkohemi për të luftuar këtë.

Rugova përmendi rastin e Diana Kastratit, Zejnepe Bytyqi e Antigona Morina të cilat ishin vrarë vite më parë nga partnerët e tyre, raporton EO.

“Kemi një punë për të bërë se bashku për qytetarët tanë, aman kërkoni llogari nga kjo qeveri dhe mos e zbatoni kanunin por ligjin, parlamenti duhet të monitoroj dhe të kërkoj llogari nga qeveria”, shtoi Rugova.

Rogova i kritikoi qeveritarët tanë në theks të veçantë kryeministrin Ramush Haradinaj i cili kishte thënë që me kanun lejohet të gjuhet me armë në festa.

Sipas Rugovës, Haradinaj po e promovon gjuajtjen me armë dhe po iu jep krah burrave kosovarë në përdorimin e armës.