Ish-të burgosurit politikë në pritje për t’u kompensuar

04.06.2019 13:37:45

Përkundër dhembjes dhe maltretimeve që dikur patën nga regjimi serb, ish-të dënuarit (burgosurit) politikë janë kategori e diskriminuar që nga paslufta.

Ndonëse Rregullorja për procedurat dhe kriteret e kompensimit të ish të dënuarve politik është nxjerrë në mars të vitit 2013, me ç’rast është themeluar edhe Komisioni për njohjen e statusit të dënuarve politik dhe ish-të burgosurve politikë, kompensimi i kësaj kategorie nuk ka përfunduar ende.

E për një ditë të kaluar në burg, ish-të dënuarit politikë kompensohen me 16.70 euro, shumë kjo simbolike që shteti ka ndarë për këtë pjesë të shoqërisë. Ndonëse është paraparë që të kompensohen 4 mijë e 197 ish-të dënuar politikë, kanë aplikuar rreth 12 mijë persona.

Ligji parasheh tri kategori: kategorinë e të dënuarve politik, të cilët kompensohen, dhe kategorinë e të burgosurve politik që nënkupton se personi është i dënuar më pak se 60 ditë dhe kategorinë e të përndjekurve dhe kategorinë e të përndjekurve politik, kategori të cilat nuk kompensohen.

Sekretari i Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve politik dhe ish të burgosurve politik, Shefik Sadiku, thotë se komisioni ka punuar kryesisht me kategorinë e parë. Teksa tregohet optimist se Qeveria e Kosovës mund të marrë ndonjë vendim edhe për kompensimin e ish të burgosurve politik dhe ish të përndjekurve.

“Komisioni ka punuar kryesisht me kategorinë e parë, që kanë qenë të dënuar prej vitit 1945 e këndej. Kemi mbërri, në përbërjen e mëparshme të komisionit, deri në tetor të vitit të kaluar, t’i shqyrtojmë aplikacionet prej ’45-ës deri në të ‘89-ën, kuptohet, ata të cilët e arsyetojnë aplikacionin e tyre. Aplikacioni duhet plotësuar me aktgjykim – kur është burgosur, dhe fletë-lëshim – kur është liruar, pastaj letërnjoftimi dhe llogaria bankare. I njihet statusi dhe e drejta në kompensim, lëshohen dy vendime të veçanta. Ata, të cilët nuk i kanë për shembull këto dokumente për t’u arsyetuar, kemi disa prej tyre të dënuar në vitet e ‘60-ta, ‘70-ta dhe ‘80-ta dhe s’kanë arritur ta gëzojnë këtë të drejtë”, tha Sadiku.

Ai bën të ditura edhe shifrat e atyre që janë kompensuar prej vitit 2014 e deri sot. Ndërsa shton se janë mbi 2 mijë persona që presin t’iu njihet statusi i ish të dënuarve e më pas të kompensohen.

Në bazë të ligjit dhe rregullores, përkatësisht rregullores 7/2013, për kompensimin edhe të drejtën e të dënuarve politik, Sadiku thotë se janë edhe tri kategori që kanë përparësi: ish të dënuar, të cilët janë dënuar pavarësisht kur, por moshën e kanë mbi 80 vjet; rastet sociale dhe kategoria e tretë, ata që kanë probleme shëndetësore.

“Komisioni dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë lidhur një kontratë për njohjen e statusit, gjegjësisht kompensimit prej 55 milionëve. Këtu janë paraparë 4 mijë e 197 ish-të dënuar për t’u kompensuar. Mirëpo, kanë aplikuar rreth 12 mijë aplikues. Prej këtyre, ose në këtë shifër hyjnë edhe ish të burgosurit, ish të përndjekurit, ka edhe ndonjë për vepra tjera, por ata nuk kompensohen. Shifra e përgjithshme është rreth 12 mijë. Ndërkaq, për vitin 2014, janë kompensuar 219 ish të dënuar; për vitin 2015 – 417; për vitin 2016 – 555, për vitin 2017 – 607 dhe për vitin 2018 – 636 ish të dënuar. Shuma e përgjithshme prej 55 milionë është shpenzuar, 43 milionë e 618 mijë e 957.06 euro, që lë të nënkuptohet që kanë ngelë të pa shpenzuara edhe 11 milionë e 381 mijë e 42.94 euro”, thotë Sadiku.

Ai tregon se nga 10 milionë e 500 mijë euro sa kanë qenë të ndara vitin e kaluar për këtë komision, 3 milionë e 184 mijë e 433.41 euro kanë shkuar suficit, por që pret të barten për këtë vit.

“Ndërkaq për vitin 2019 janë ndarë 5 milionë e 500 mijë euro. Tash fillohet nga puna, deri në fund të vitit besoj që do të kryhen të gjitha këto. Kemi ngelë në vitin ‘89-të, në mënyrë të rregullt të shqyrtimit të aplikacioneve, dhe besoj se deri në fund të vitit do të kryhet shuma më e madhe e aplikuesve” , shprehet Sadiku.

Për fatin se ky proces ka filluar kaherë, e megjithatë ka mbetur ende shumë punë për t’u bërë deri në kompensimin e fundit, Sadiku bën përgjegjëse edhe Qeverinë e Isa Mustafës, që sipas tij, nuk ka qenë bashkëpunuese. Ndërsa shprehet optimist se me Qeverinë e Ramush Haradinajt do të zgjidhet njëherë e mirë kjo çështje.

“Deri tash, Qeveria e Isa Mustafës është sjellë shumë e pandërgjegjshme, por, s’mund të themi që edhe Qeveria e Ramush Haradinajt nuk ka pasur ngecje në këtë fushë, çka besoj që tash e pas do të ketë një mirëkuptim shumë më të madh, do të duheshin të trajtohen nga ajo që e meritojnë”, shprehet ai.

Ndërsa, sekretari i Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë të Kosovës, Meriman Braha, ndonëse pohon se ka vonesa, thotë se kjo ka ndodhur edhe për shkak të materialit të madh që ka secili ish i burgosur politik dhe për shkak të buxhetit të limituar shtetëror. Megjithëkëtë, shprehet i bindur se përkundër vonesave, asnjë ish i burgosur politik nuk do të mbetet i përjashtuar nga e drejta për kompensime.

Për të, krejt kjo është vetëm një simbolikë që institucionet e vendit kanë vendosur t’iu japin ish-të burgosurve politikë, teksa shton se dëmshpërblimin do ta kërkojnë nga Serbia, e cila ka kryer krimet. E dëmshpërblimi sipas tij, shpaguhet vetëm me gjykimin e kriminelëve serbë nga drejtësia ndërkombëtare.

“Është e vërtetë se ka ngecje dhe te puna e vendosjes së Qeverisë, për të vazhduar komisioni punën e vet, në fakt ai do të duhej sipas ligjit, ta kishte mandatin 4 vjeçar, por e kanë ndërruar dhe ne nuk kemi të drejtë të përzihemi në interpretimin e ligjit, Qeveria e ka për detyrë. Unë mendoj se pavarësisht ngecjeve, deri tash ka ecë puna shumë mirë. Komisioni ka bërë një punë shumë të mirë, me një objektivitet, duke i trajtuar problemet e secilit veç e veç”, tha Braha.

Ndërkaq, javë më parë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i vazhdojë mandatin Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish-të dënuarve dhe ish-të përndjekurve politikë.

Kjo ndodhi pas një pauze disa mujore, pasi mandati i këtij komisioni kishte skaduar më 13 tetor të vitit 2018.

Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se tashmë është marrë vendim që të kryhet pagesa ndaj ish-të burgosurve politikë.

“Tani janë krijuar krejt kushtet paraprake për të vazhduar pagesat… E kanë buxhetin, vetëm s’kanë pasur mandat me i marrë veprimet”, ka thënë ai.

Ndryshe, Rregullorja për procedurat dhe kriteret e kompensimit të ish-të dënuarve politik është nxjerrë në mars të vitit 2013, ndërsa një numër i madh i ish-të burgosurve politikë ende vazhdojnë të jenë në pritje.