Ishte shumë mjegull, momenti i rrëzimit të helikopterit të Kobe Bryant

27.01.2020 11:06:09

Kobe Bryant, vajza e tij Gianna dhe shtatë persona të tjerë kanë humbur jetën në një aksident me helikopter, i cili u rrëzua rreth orës 10:00 të mëngjesit të të dielës.

Helikopteri kishte fluturuar nëpër mjegull të madhe, para se të rrëzohej në Calabasas të Kalifornisë, ndërsa asnjë nga 9 personat që ndodheshin aty nuk kanë shpëtuar.

Helikopteri privat i ish-yllit të NBA, Sikorsky S-76 u përfshi menjëherë nga flakët, sapo ra në tokë.

Të dhënat nga fluturimi kanë treguar se helikopteri kishte pasur probleme, teksa po fluturonte mbi kopshtin zoologjik të Los Angeles duke qëndruar në lartësi të ulët, ndërsa kushtet ishin përkeqësuar dukshëm deri në momentin e rrëzimit.

Kobe Bryant jetonte në jug të Los Angeles dhe shpesh përdorte helikopterin për të shmangur trafikun e përhershëm të rrugëve në Kaliforninë Jugore.

Edhe si lojtar ai shpesh shkonte në stërvitje dhe ndeshje me helikopter, një praktikë që e vazhdoi edhe pasi la basketbollin.