ISIS edhe një herë kërcënon se do të sulmojë Stambollin

08.09.2016 12:29:23

Grupi terrorist ISIS edhe një herë ka kërcënuar se do të sulmojë Stambollin. Kjo deklaratë e ISIS e dhënë në revistën e re të ISIS ( Romie) në gjuhën turke, ruse dhe franceze ka ardhur menjëherë pas deklaratës së presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, i cili ka deklaruar se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara janë gati të dëbojnë ISIS nga bastioni i tyre në qytetin sirian Raka.

Erdogan tha se homologu i tij Barack Obama hodhi idenë e aksioneve të përbashkëta kundër terroristëve në takimin dypalësh të zhvilluar gjatë samitit të G20-s në Kinë.  Turqia nuk do ta kishte problem një aksion të tillë, tha Erdogan.  Muajin e kaluar Turqia ndërmori një operacion në territorin sirian, duke vënë në shënjestër si terroristët e ISIS ashtu edhe ata kurdë.

Milicia pro-turke e detyroi ISIS të largohet nga qyteti kufitar Jarablus, por Ankaraja është e shqetësuar për avancimin e njësive kurde, të cilat i konsideron si terroriste.  Ofensiva ndërkohë vazhdon dhe zv.kryeministri Nurettin Canikli bëri me dije se trupat turke mund të depërtojnë më thellë në Siri, pasi kanë siguruar një zonë territoriale përgjatë kufirit.

Ministri tha gjithashtu se, 110 terroristë të ISIS dhe milicisë kurde së bashku janë vrarë që nga fillimi i operacionit. Ndërkohë, Rusia, aleate e presidentit Bashar Assad, u shpreh shumë e shqetësuar nga ndërhyrja turke.