ISIS, “Times”: rreth 300 xhihadistë britanikë fshihen në Turqi

27.12.2017 16:28:22

Janë rreth 300 shtetas britanikë mes qindrave xhhadistëve që janë larguar drejt Turqisë pas rënies së qyteteve kryesore të Shtetit Islamik, Raka në Siri dhe Mosul në Irak.

Kështu shkruan e përditshmja britanike “Times”, sipas të cilës kjo kategori përfaqëson një rrezik të madh për terrorizimin për vendet perëndimore në rast se do të kthehen në vendet e tyre të origjinës në Europë. Gazeta citon si burin Ciwan Xhalil, një funksionar të lartë të inteligjencës siriano-kurde.

Është pikërisht ky i fundit ai që mban kontakte me agjencitë perëndimore për monitorimin e “luftëtarëve të huaj”. “Eksodi ka nisur pas rënies së Mosulit dhe ka vazhduar pasi ISIS-i humbi Rakën, – ka shpjeguar Xhalil. – Kemi shumë francezë në burgjet tona dhe shumë persona me kombësi të tjera, por mendojmë se pjesa më e madhe e britanikëve janë larguar”.

Përllogaritet që rreth 850 shtetas të Mbretërisë së Bashkuar i janë bashkuar Shtetit Islamik: gjysma e tyre është kthyer në atdhe, ndërsa 130 të tjerë kanë vdekur në Lindjen e Mesme.