Islanda mposht Kosovën e pafat dhe shkon në Botëror, Kroacia në “play off”!

09.10.2017 22:51:27

Islanda ka fituar 2-0 ndaj Kosovës dhe do të marrë pjesë për herë të parë në historinë e saj në një kampionat botëror, teksa do të jetë e pranishme në “Rusi 2018”, verën e ardhshme. Për Kosovën kjo ishte humbja e nëntë radhazi. Pas barazimit në ndeshjen e parë ndaj Finlandës, kombëtarja kosovare, debutuese në këtë edicion, nuk arriti të marrë më asnjë pikë tjetër. Sigurdsson dhe Gudmundsson shënuan për Islandën, që e fitoi Grupin I me 22 pikë. Islanda bëhet vendi më i vogël që kualifikohet për në Kupën e Botës.

Në vendin e dytë të Grupit I doli Kroacia, që fitoi përballjen jetike kundër Ukrainës, në Kiev dhe bëhet gati për “play off” të muajit nëntor. Në sfidën që kishte aromën e finales për vendin e dytë, kroatët e bënë diferencën në pjesën e dytë me dy gola të shënuar në harkun e tetë minutave nga sulmuesi Andrej Kramaric. Ndërkohë, Turqia barazoi 2-2 ndaj Finlandës në Helsinki, në një ndeshje ku të katër golat u shënuan në pjesën e dytë.