Ismail Kadare i përgjigjet Lubonjës

21.02.2017 17:27:43

Intervista e Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të madh të gjallë të botës shqiptare dhe njëri ndër më të mëdhenjtë e kohës që jetojmë, është rrëfimi më i plotë dhe më i strukturuar i raportit të tij me diktaturën.

Ai shpjegon raportin e tij me Enver Hoxhën, personazh i romaneve të tij, nëpërmjet një paravolie gjeniale të raportit që shkrimtarë të mëdhenj rusë si Pasternak apo Mandelshtam kanë pasur me Stalinin. Kadare për Konica.al shkon dhe më larg në histori duke rrëfyer fabulën e vetëvrasjes së Senekës me urdhër të Neronit.

Nënteksti i këtyre paravolive është i thjeshtë: unë nuk vdiqa me urdhër të diktatorit që mbase ju të më lavdëronit sot pas vdekjes, por nuk i kam bërë kurrfarë pagese të imponuar regjimit.

Nuk e kam glorifikuar Enver Hoxhën! Kadare i përgjigjet dhe kritikut më të madh të tij, dhe më të kualifikuarit, Fatos Lubonja për këtë raport. Ai analizon po ashtu ndjesinë e ringjalljes së nostalgjisë për regjimin komunist nëpërmjet disa sondazheve dhe i quan të rrejshme ato.

Kadare përfshihet me vonesë, por drejtpërdrejt në një polemikë që lidhet me një letër të kahershme të tij për Lulzim Bashën me anë të së cilës i kërkonte të tërhiqej nga fitorja e famshme mbi Ramën në garën për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Asokohe u diskutua se me çfarë statusi e bënte Kadare një letër të tillë, dhe ndërsa dikush fliste për nevojën e autoriteteve morale si ai, profesor Artan Fuga, e kundërshtonte ekzistencën e këtyre autoriteteve në kohën tonë. Në njëfarë mënyre ai replikon megjithëse me roveshatë me Fugën, duke mbrojtur idenë se autoritetet morale kanë gjithmonë kohën e tyre.