Ismaili: Do të shtojmë investimet për ta forcuar shëndetësinë nëpër komuna

26.02.2019 18:35:10

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Uran Ismaili, u ka dorëzuar sot kryetarëve dhe përfaqësuesit të 38 komunave të Kosovës, raportin kombëtar “Cilësia e Kujdesit”, i mbështetur nga AQH

Studimi ka vlerësuar njerëzore, infrastrukturën, standardet e higjienës dhe sigurisë, pajisjet mjekësore esenciale ekzistuese, si dhe kënaqshmerinë e pacientit, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

Gjatë kësaj tryeze, ministri Ismaili tha se nga fillimi i mandatit të tij, kujdesi primar ka qenë prioritet në fushën e shëndetësisë.

“Ky projekt ka rëndësi të veçantë, ngase përpos që u jep kryetarëve të komunave një pasqyrë fillestare të gjendjes në terren, i ofron mundësi edhe Ministrisë së Shëndetësisë që t’i orientojë fondet aty ku është nevoja më e madhe. Kështu, do të kishim mundësinë që bashkë të krijojmë një bashkëpunim substancial, konkret, me buxhet të planifikuar, në realizimin e projekteve që kemi”, tha ministri Ismaili.
Ministri Ismaili tha se në kuadër të planit të punës për vitin 2019 në kujdesin primar ka pasur disa aktivitete shumë të rëndësishme.

Ai përmendi hartimin e strategjisë për kujdesin primar shëndetësor, i cili do të fillojë pas këtij vlerësimi të AQH-së, fillimin e shpërndarjeve të pajisjeve bazike për kujdesin parësor shëndetësor në të gjitha komunat, fillimin e zbatimit të zonimit, duke krijuar listat e pacientëve për ekipet e mjekësisë familjare, hartimin e planit operativ për promovimin e mjekësisë familjare, i cili ka filluar të prezantohet në të gjitha komunat, etj.

Siç thuhet në njoftim, ambasadori i Zvicrës, Jean-Hubert Lebet, duke uruar ministrin Ismaili për punën e madhe, foli për rëndësinë e këtij projekti dhe forcimin e kujdesit parësor shëndetësor.

“E uroj ministrin Ismaili për rezultatet konkrete në këto gjashtë muaj. Është diçka e mirë që të shihet kjo punë e realizuar dhe të ketë një përcjellje të aktiviteteve sipas plani. Kujdesi parësor shëndetësor ka potencial për tu zhvilluar, prandaj duhet të bashkojmë forcat që të punojmë në këtë drejtim. Jemi të lumtur që po ndihmojmë në Kosovë pasi që jemi duke bërë diçka speciale për momentin”, ka thënë ai.

Kurse, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, tha se rritja e investimeve në kujdesin parësor shëndetësor do të ndihmoj që të krijohen shërbime më të mira me fokus pacinetin.

Ky takim ishte vazhdim i diskutimit mbi forcimin e kujdesit parësor shëndetësor (KPSh), të zhvilluar më 5 korrik 2018.