Ismaili për mbulesën: Politikanët mund të kenë qëndrime të ndryshme, të mos ketë qëndrime partiake e institucionale

01.10.2019 22:42:42

Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Besa Ismaili në intervistën për lajmi.net ka folur edhe rreth mbajtjes së mbulesës në shkolla.

Ajo është shprehur se politikanët mund të kenë qëndrime, por sipas saj është anti-ligjore të ketë qëndrime partiake ose institucionale.

“Politikanët e përcaktuar për parti të caktuara dhe gjithë qytetarët mund të kenë mendime personale që I respektoj shumë edhe kur janë kundër mbulesës, por ajo çfarë nuk do të doja është që të ketë qëndrime partiake karshi kësaj çështje sepse do të ishin anti-ligjore”, tha Ismaili.

Sipas saj, është me rëndësi që bindjet e dikujt mos t’i rrezikojnë bindjet e tjetrit.

“Ajo çfarë është me rëndësi është që bindjet e tyre mos t’i rrezikojnë bindjet e të tjerëve. Unë jam e hapur ndaj mendimeve të tilla edhe në familjen time një numër i vogël janë të mbuluara, por gjithçka lidhet me punët e mira që bëhen në shoqëri”, tha Ismaili.

Më tutje, ajo tha se PDK-ja nuk ka qëndrim partiak për mbulesën, por ka individ që shprehin mendimet e tyre të ndryshme.

“PDK-ja nuk ka qëndrim partiak të tillë, megjithatë ka individ që shprehin mendimet e tyre, por unë nuk e di se si njerëzit i matin këto në barometrin politik, por unë e vlerësoj sinqeritetin gjithmonë”, tha Ismaili.

Këto dhe çështje të tjera me rëndësi mund t’i ndiqni në intervistën e plotë të Besa Ismailit dhënë për lajmi.net: