Ismet Beqiri i bindur se i kanë votat për demarkacionin

06.05.2017 10:52:05

Të hënën marrëveshja për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi do të shkojë në Kuvend, ku gjatë asaj jave pritet të dal në seancë për ratifikim. Mirëpo, kundërshtimet e shumta nga opozita dhe një numri të deputetëve të partive në koalicionin qeverisës ka bërë që të vihet në dyshim nëse do të kalojë apo jo demarkacioni.

Mirëpo, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri është i bindur se demarkacioni me Malin e Zi, do të kalojë dhe se deputetët e kësaj partie do ta votojnë të gjithë. Ai thotë se dërgimi i demarkacionit në Kuvend është obligim ligjor, derisa nuk ka mundur të thotë nëse procedimi është në konsultim edhe me partnerin e koalicionit, meqë sipas tij, këtu nuk ka pasur çfarë të konsultohet.

Sipas tij, tash është vlerësuar momenti për ta proceduar në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin, porse kjo nuk ka të bëjë asgjë me mocionin e opozitës.

Beqiri: Të hënën demarkacioni shkon në Kuvend, pastaj shohim

“Sa i përket demarkacionit është thënë nga kryeministri që do të përcillet ashtu siç parashihen procedurat për Kuvend. Ndërsa unë nuk mund të them se a është konsultuar me partnerin e koalicionit apo jo, sepse këtu nuk ka çfarë të konsultohet sepse është një obligim ligjor dhe ju e dini që kërkesa e të gjithëve ka qenë që kjo të bëhet. Pse nuk është bërë deri më tani është se është vlerësuar momenti kur do duhej të bëhej dhe ju e keni dëgjuar qëndrimin e kryeministrit se kjo do të ndodh ditën e hënë dhe presim ditët në vijim se si do të rrjedhin gjërat”, tha Beqiri.

Ai ka mohuar se procedimi i mocionit nga opozita në Kuvend, ka shtyrë qeverinë që ta procedojë të hënën demarkacionin.

Beqiri: Mocioni i opozitës nuk është arsye pse demarkacioni do të vijë në Kuvend

“Jo, jo assesi nuk është shkaktar kjo sepse ka qenë një obligim i yni. Ne se mohojmë faktin se jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë jo vetëm ne si LDK por edhe të tjerët. Zatën është mençuri të kontaktosh me njerëz që ta duan të mirën dhe të përkrahin. Realisht vetëm ata që nuk ia duan të mirën vendit mund të mohojnë nevojën e kontakteve, bashkëpunimeve dhe pse jo bashkërendimin me partnerët tanë strategjik dhe mund të themi gjithçka, por nuk mund të ecim përpara pa SHBA-të dhe BE-në”, theksoi Beqiri.

Shefi i deputetëve të LDK-së, mohon se numri i deputetëve të kësaj partie kundër demarkacionit është i madh aq sa është raportuar. Madje, sipas tij, janë dy apo tre që kanë hezitime me të mëdha.

Beqiri: Nuk janë aq shumë deputetë të LDK-së kundër

“Së pari të hënën demarkacioni përcillet në Kuvend, pastaj janë procedurat, sido qoftë ne kemi punuar vazhdimisht, kemi biseduar me deputetët tanë, për sqarimet, për hezitimet eventuale që ka prej deputetëve që kanë. Ajo që kam thënë se nuk qëndron, nuk është ai numër i deputetëve të LDK-së që janë kundër demarkacionit, me shumë janë spekulime. Ju e dini që janë dy tre deputetë që kanë pasur rezerva me shumë dhe ne si subjekt politik jemi të tillë që nuk ua ndalojmë me dekrete që e bëjnë dhe po e thonë nganjëherë më shumë se që duhet, s’po e them keqpërdorin mundësinë për të thënë mendimin e tyre”, theksoi ai.

Beqiri nuk ka dashur të komentoi deklaratat e disa zyrtarëve të PDK-së se do të votojnë kundër demarkacionit, por edhe pro mocionit të opozitës për rrëzimin e qeverisë, duke thënë se ata kanë marrëveshje me një subjekt politik dhe nuk e rëndësishme çka thonë deputetë individualisht.

Beqiri: Kemi marrëveshje me subjektin politik, jo me individë

“Ajo që mund të them është se ne kemi një marrëveshje partneriteti, marrëveshje koalicioni. Nuk dua të hyj në atë se çka mendojnë individë të caktuar të subjekteve politike, aq më tepër në kemi një koalicion me një subjekt politik dhe disa të tjerë me të vogël dhe ne sillemi në mënyrë serioze dhe këto marrëveshje dhe këto konsulta bëhen vetëm me subjektin politik, e dihet kush e përfaqëson secili ka përfaqësuesin e tyre, të tjerët e lëmë ashtu siç e thonë mendimet individuale”, u shpreh Beqiri.

Ai ka ripërsëritur edhe marrëveshjen e koalicionit që kanë me PDK-në, duke kujtuar pikën e kësaj marrëveshje e cila thotë se asnjëra parti nuk duhet të mbështet mocione të tilla për rrëzimin e Qeverisë.

Marrëveshja për demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi do të procedohet të hënën në Kuvend. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës Isa Mustafa pas një bisede që ka pasur me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Hoyt Bryan Yee.