Ismet Beqiri: Për zgjedhjet nuk ka biseduar askush me ne

24.10.2016 18:20:00

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se qeveria është stabile dhe se po bën punë të mirë.

Ndërkaq, në lidhje me deklaratat e kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili në një intervistë për “Kohën Ditore” tha se edhe zgjedhjet janë zgjidhje, Beqiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se LDK nuk ka informata për këtë temë.

“Së pari, nuk kam dëshirë t’i interpretoj deklaratat. E dyta, ishte dashur me qenë të informuar, po të ishte ashtu, siç po interpretohet, jo vetëm unë, por LDK-ja, sepse ne kemi një koalicion qeverisës. Kjo qeveri nuk është e një partie politike, por është e një koalicioni”, ka thënë ai.

“Sa u përket zgjedhjeve, te partitë politike serioze, gjithmonë, një ditë duhet të ulen për të biseduar edhe për proces zgjedhor, qoftë pak para se të vijë koha ose edhe pak më herët. Por, në këtë rast, nuk do të paragjykoja dhe unë mendoj që shpeshherë deklaratat tona nxirren nga konteksti”, ka thënë Beqiri.