Istogas, mbronie kështjellën e presidentit Rugova!

13.12.2017 12:32:19

Nga Rexhep Kastrati

Të nderuar miq, istogas të shumërespektuar,
ashtu si dikur Istogu u bë zanafilla e hapërimit të presidentit Rugova drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, ashtu edhe tash është Istogu që duhet të mbrojë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë.
Wolgang Petrisch e quajti Kosovën shtet të dështuar dhe buzë kolapsit, sepse liria është cenuar rëndë nga ata që kujtuan se liria është për ta, është liri për të plaçkitur, është liri për të vrarë dhe për të prerë, është liri e plotë për të bërë çka të duan dhe të mos ketë kush të kërkojë as kujt t’i japë llogari.
Pavarësia është në rrezik se shtetin e kanë kapur, institucionet e tij i kanë bërë instrumente për të gërryer shtetin, për t’i përdorur për interesa të tyre dhe për të bërë pazare në dëm të vendit dhe të pavarësisë së tij.
Demokracia është aq e dobët dhe aq jofunksionale sa që të cenohet funksionimi demokratik i institucioneve dhe të shoqërisë. Liria e shprehjes është zëvendësuar me lirinë e një korpusi medietik për të bërë luftë speciale, për të nxitur dhe frymëzuar djegien e shtetit dhe për të linçuar individë, struktura dhe institucione. Shoqëria civile është vetëm zgjatim i kapësve të shtetit.
Istogu, më hapur dhe në mënyrë të egër pati rast të ballafaqohet me cenimin e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, sepse në Istog u cenua rëndë liria e qytetarëve për të votuar apo për të mos votuar, pasi në emër të tyre dhe të të vdekurve kanë votuar të tjerë, është cenuar rëndë parimi elementar: e drejta për të mos u cenuar privatësia dhe të dhënat personale. Dhe kjo pa keqpërdorim të institucioneve shtetërore nuk do të kishte pasur mundësi të ndodhte. Vullneti demokratik i qytetarëve është cenuar me forma të egra, por edhe me ato joshëse. Vullneti demokratik i qytetarëve është cenuar kur u synua të ndryshohej rezultati me vota me postë.
Istogu është dëshmia e qartë se si gjithë fundërrinat politike dhe jo vetëm politike janë bashkuar për të mbrojtur veten, për të mbrojtur sistemin e instaluar të plaçkitjes, të kapjes së shtetit dhe për t’u mbrojtur dhe për të bërë pazare për të shpëtuar nga drejtësia dhe nga përgjegjësitë tjera për gjithë ato që kanë bërë.
Në Istog nuk është një parti përballë një partie tjetër, as një kandidat përballë një kandidati tjetër. Në Istog është një parti, një kandidat përballë strukturave të organizuara dhe të përbashkuara që gjatë viteve instaluan, dhunën, instaluan linçimin dhe përndjekjen politike, instaluan ndarjen etnike të Kosovës, instaluan bashkëveprimin me serbë të instrumentalizuar nga Serbia kundër lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë dhe tashmë kanë ndarë pushtetin me Serbinë dhe e kanë bërë Kosovën të varur nga Beogradi.
Gjithë këta janë bërë bashkë dhe po mundohen që në çdo mënyrë, ndoshta edhe me kërcënime, ndoshta edhe me para, me shporetë dhe me gjithçka tjetër, që të pushtojnë edhe Istogun, të pushtojnë kështjellën e presidentit Rugova!
Kjo kohë është kohë e sfidës së madhe, e karshillëkut që strukturat mafiozo-politike ua bëjnë qytetarëve të Istogut, të cilëve iu vodh identiteti personal, iu vodh vullneti politik!
Mirëpo siç arritën që me kurajo dhe qytetari të lartë, istogasit duhet të vazhdojnë të mbrojnë lirinë, pavarësinë, demokracinë në balotazhin e anuluar, do të dinë që edhe më 17 dhjetor të mos lejojnë pushtimin e komunës nga ata që kanë interes të forcojnë pozitat e tyre, të plaçkitin dhe të shpëtojnë bizneset e tyre nga falimentimi.
Liria e Kosovës, pavarësia e demokracia e saj vlejnë më shumë se një shporet, më shumë se 200, më shumë se gjithçka tjetër, sepse për to është angazhuar dhe ka sakrifikuar një popull i tërë, për to janë sakrifikuar bashkëpunëtorët më të ngusht të presidentit Rugova!