Istrefi: Reformat në Telekom deri në punëtorin e fundit, që shet mbushje

22.10.2019 21:25:54

Drejtori ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka thënë se reformat në këtë institucion publik do të vazhdojnë deri te punëtori i fundit.

Istrefi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se në Telekom kanë filluar reformat, e sipas tij këto reforma kanë filluar nga stafi menaxhues.

Ai ka thënë se për vëllain e Fatmir Limajt, Demirin, është vendosur t’i shkëputet kontrata pasi ky i  fundit tashmë është i angazhuar edhe në Universitetin e Prizrenit.

Drejtori ekzekutiv i Telekomit të Kosovës ka thënë se ka qenë i detyruar të fillojë me performancën e stafit menaxherial duke filluar nga shitja.

“Kam parë se ka pasur një neglizhim ndaj konsumatorit… Reformën kam filluar nga lart e do të vazhdojë deri te i fundit që është në pikën shitëse… Nuk do të toleroj asnjë që ka performancë të dobët”.

Istrefi ka thënë se në shumë biznese ka rritje të borxheve ndaj Telekomit dhe ka pasur shkëputje të kontratave me Telekomin.

Sipas tij, këto dështime nuk do të tolerohen.

Ai ka thënë se Kosova ka rrjetin më të mirë në rajon, por performanca ka lënë për të dëshiruar.

“Vendimet për shkarkime nuk kanë asgjë personale. Me shumicën jemi miq. Pimë kafe jashtë orarit të punës”, tha Istrefi.