Itali, kapet gomonia me 812 kg marijuanë, arrestohen dy trafikantë nga Vlora

23.09.2016 10:55:56

Gjatë një operacioni të përbashkët antidrogë mes policisë italiane dhe asaj shqiptare, është sekuestruar në Lece një gomone 250 kuaj fuqi me dy motorë, ku në brendësi të saj ndodheshin 812 kg marijuanë e ndarë në 30 pako.

Në pranga kanë rënë  shtetasit nga Vlora, D. A dhe A. B, 36 vjeç dhe 38 vjeç. Policia e Shtetit informon se mjeti lundrues është pikasur në afërsi të Orikumit pas mesnatës dhe pas sinjalizimit për palën italiane, forcat “Delta”, dhe Guardia di Finanza e kanë bllokuar në orën 02:10 në Leçe.

Njoftimi i Policisë së Shtetit

“Nga ana e shërbimeve të policisë kufitare, në afërsi të vendit të quajtur Kepi i Gjuhëzës, u identifikua një mjet lundrues i paidentifikuar, i cili lëvizte në drejtim lindje-perëndim.

Në ndjekje të tij u vunë shërbimet e Repartit Special “Delta” dhe të Njësisë së Guardia di Financa në Vlorë dhe njëkohësisht operacioni u koordinua me shërbimet e Guardia di Financa të Barit.

Rreth orë 02.10, shërbimet e Guardia di Financa, në afërsi të Leçes, kanë arritur të identifikojë dhe të ndalojë mjetin e lundrimit tip gomone me motor 250 kuaj fuqi.

U sekuestrua një sasi marijuanë prej rreth 812 kg, e ndarë në 30 pako,  dhe në pranga u vunë  shtetasit D. A. dhe A. B. 36 vjeç dhe 38 vjeç, të dy nga qyteti i Vlorës”.