Itali, marijuanë dhe 7 mijë euro në makinë, 4 shqiptarë në pranga

12.04.2018 09:44:15

Katër shqiptarë dhe një italian kanë rënë në prangat e Karabinierëve të NjësisëInvestigative të Livornos.

Të rinjtë e moshave nga 22 deri në 30 vjeç, akuzohen për posedim droge me qëllim shpërndarjen, ndërsa mësohet se të gjithë janë rezidentë në zonë. Policia italiane sqaron se 4 shqiptarët u kapën gjatë një kontrolli të makinës me të cilën po lëviznin, ku u gjetën 6.2 kg marijuanë dhe janë të gjithë me precedentë penalë për krime të ndryshme.

Verifikimet e mëtejshme bënë të mundur dhe zbulimin e personit që do të merrte lëndën narkotike, një 25-vjeçar italian nga Livorno, të cilit pas kontrollit në banesë iu gjetën edhe 1.4 kg hashash.

Karabinierët gjithashtu sekuestruan edhe një shumë prej 7 mijë eurosh që dyshohet si e fituar nga aktiviteti kriminal i shpërndarjes së drogës, si dhe një biçikletë garash, e cila ishte marrë si shantazh.

Katër shqiptarët janë dërguar në burgun e Livornos, ndërsa për italianin u vendos masa “arrest shtëpie”.