Itali, nxirren të gjallë 6 persona nga hoteli i goditur nga orteku

20.01.2017 12:41:18

Punonjësit e ndihmës së shpejtë dhe autoritetet e kërkim-shpëtimit, kanë nxjerrë të gjallë nga rrënojat gjashtë persona që ndodheshin në brendësi të hotel “Rigopiano” në Peskara të Italisë pas goditjes nga orteku i dëborës.

Sipas shtypit italian, vijona puna për të kërkuar persona të tjerë që mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja në hotelin tashmë të shembur plotësisht nga orteku. Me temperaturat nën zero, autoritetet po përdorin aparatura të teknologjisë së lartë, ndonëse siç thonë ata mungojnë kushtet e nevojshme të sigurisë.

Zëvendës ministri i Brendshëm italian Filippo Bubbico deklaroi se pavarësisht situatës së vështirë, kemi shpresë që mund të gjejmë dikë në jetë. Mediat italiane kanë publikuar video dhe telefonata të personave që ndodheshin në hotel menjëherë pas ngjarjes.

Ata kërkojnë ndihmë, duke iu kërkuar ekipeve të emergjencës të ndërhyjnë shpejt, por në minutat e para duket se askush nuk e ka besuar se situata ishte vërtetë shumë kritike.

Të paktën katër persona janë konfirmuar të vdekur, trupat e të cilëve janë nxjerrë nga rrënojat e hotelit, i cili u godit dy ditë më parë nga një ortek dëbore. Hoteli ndodhet në provincën e Pescaras.

Stuhia goditi hotelin të mërkurën pasdite vonë, me 18 janar, vetëm disa orë pas katër tërmeteve që goditën Italinë qendrore, të gjithë me magnitudë mbi 5 ballë.