Italia ndihmon të prekurit nga vërshimet në Shkup me 200 mijë euro

12.08.2016 22:52:17

Ministria e punëve të jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar e Italisë, Drejtoria e përgjithshme për bashkëpunim dhe zhvillim përmes Federatës ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, ka miratuar 200 mijë euro për Maqedoninë.

Qëllimi i këtij donacioni është ti jepet mbështetje aktiviteteve të Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë, për zbutjen e pasojave nga vërshimet në rrethinën e Shkupit, ka njoftuar Ambasada italiane në Shkup, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Mjetet e ndara financiare do të kontribuojnë për financim të aktiviteteve për ndihmë të parë të kryesuara nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë, si për shembull furnizim i produkteve ushqimore, ujit të pijshëm dhe mjete tjera primare siç janë ato higjienike, veshje, dyshekë, çarçafë, e të tjera, theksohet në njoftimin e ambasadës italiane në Shkup.