Ivanoviq nuk pajtohet me atë që ndodhi në vitin 1999

11.10.2016 13:52:01

Oliver Ivanoviq, i dënuari për krime lufte kundër popullatës civile të kryera në jug të Mitrovicës më 14 prill 1999 tha në Gjykatën e Apelit se nuk pajtohet me atë që ndodhi atëherë.

Ivanoviq në ankesën e tij në Apel pas dënimit prej 9 vjetësh Nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në janar të këtij viti, tha se nuk ishte pjesë e krimit për të cilin u dënua.

“Nuk kam qenë pjesë e skenës së krimit dhe as që kam kontribuuar në ngjarjen e vitit 1999, pasi nuk jam pajtuar me ato që kanë ndodhur,” thuhet në ankesën e Ivanoviqit.

EULEX-i e dënoi Ivanoviqin më 21 janar 2016 si pjesë të grupit paramilitar ose të policisë që ndaloi disa shqiptarë, katër nga të cilët më pas u vranë. Ivanoviq u dënua ngase sipas aktakuzës e dinte që ndalimi do të përfundonte me vrasje.

Ivanoviq në kërkesën drejtuar Apelit kërkoi ndryshimin e vendimit të themelores dhe lirim nga aktakuza, si dhe rigjykim për pikën ku akuzohet për krime lufte ndaj popullatës civile.

Ankesën Ivanoviqi dhe avokatët e tij e bazuan në shkelje të dispozitave të procedurës penale, shkelje të ligjit penal dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike gjatë gjykimit në shkallë të parë.

Ivanoviq i cilësoi më tutje dëshmitë e Isa Mustafës dhe Halil Behramit si jo të besueshme.

Edhe avokatët e tij Nebojsha Vllajiq dhe Lubomir Pantoviq dëshmitë e dëshmitarëve të këtij procesi gjyqësor i konsiderojnë kontradiktore.

Por prokurori kërkoi nga Gjykata e Apelit që të hedhë poshtë ankesat e mbrojtjes së Ivanoviqit dhe t’ia vërtetojë atij dënimin e shqiptuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Oliver Ivanoviq akuzohej se ka urdhëruar vrasjen e shqiptarëve etnikë në Mitrovicë më 14 prill 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s, kur supozohet se ishte lider i një njësie paraushtarake policore.

Ivanoviq akuzohej gjithashtu, bashkë me Dragolub Delibashiqin për nxitje të vrasjes së shqiptarëve etnikë gjatë trazirave që shpërthyen pas luftës më 3 shkurt 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Aleksandar Lazoviq dhe babë e bir Ilija dhe Nebojsa Vujaçiq, gjithashtu u përballën me akuza për vrasje ose tentativë për vrasje.

Më 21 janar Ivanovia u dënua vetëm për krime lufte të kryera në vitin 1999, ndërsa të akuzuarit tjerë bashkë me të u liruan për veprat me të cilat ngarkoheshin.