Sipas Zyrës për Informim të Presidentit të Kosovës, kompania amerikane “Ballard Partners” me bazë në Florida, me përvojën dhe kontaktet që ka, do të mbështes iniciativat e institucioneve të Kosovës për ballafaqimin më të kaluarën, duke ndihmuar në krijimin e një dinamike të re në procesin e pajtimit.
“Kompania “Ballard Partners” po ashtu do të ndihmojë në modernizimin dhe në transformimin e FSK-së, në një forcë multietnike si dhe në implementimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër terrorizmit”, thuhet në përgjigje të Presidencës .
Sipas kësaj zyre, kompania amerikane do ndihmojë Kosovën në thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale, zhvillimin e ekonomik dhe sigurinë, nxitja e investimeve tregtare etj.
Zyra e Presidentit të Kosovës ka sqaruar edhe formën e lidhjes së kontratës me kompaninë amerikane. Sipas tyre, procedurat kanë filluar pas kërkesës që Presidenca i ka bërë Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa për ndarje të buxhetit shtesë për angazhimin e një kompanie ndërkombëtare të konsulencës.
“Pas miratimit të buxhetit nga komisioni dhe më vonë nga Parlamenti i Kosovës, përmes ligjit të buxhetit, Presidenca ka zhvilluar procedurat në harmoni me ligjin”, thuhet në përgjigjet e tyre.
Kompani të tilla kanë të gjitha Qeveritë e shteteve të rajonit. Më herët ishte raportuar se Serbia ka angazhuar një kompani lobingu në Uashington dhe Berlin.