Ja kur do të vendosë gjykata për Azem Sylën

16.08.2016 13:36:34

Avokati i Azem Syles, Tomë Gashi ka njoftuar që pas caktimit të paraburgimit ndaj klientit te tij më 29 prill 2016 dhe, pas kalimit të afatit prej 4 muajve, Gjykata nesër do të mbajë seancë të veçantë për të vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorit të EULEX-it për vazhdimin e paraburgimit ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve edhe për 3 muaj të ardhshëm.

“Seanca do të mbahet nesër më 17 gusht 2016 në orën 09.30 h në Pallatin e Drejtësisë- Gjykata Themelore në Prishtinë. Mbrojtja e Azem Sylës beson se këtë herë nuk do ti vazhdohet paraburgimi ish Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ngase nuk ka asnjë arsye ligjore për këtë”, ka shkruar ne Facebook avokati Gashi.

Gashi ka thënë se, vazhdimi i paraburgimit mund të konsiderohet vetëm si dënim ndaj Sylës dhe jo si masë ligjore, pasi që, sipas tij, Prokurori deklaron se i ka të gjitha provat me shkrim në këtë çështje.