Jabllanoviq ndryshon emrin dhe llogon e partisë së tij

14.05.2017 19:17:10

Vetëm dy ditë pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ktheu pas Aleksandar Jabllanoviqin duke mos ia regjistruar partinë e tij, ai i është bindur dy kërkesave të këtij institucioni.

Jabllanoviq ka ndryshuar skajshmërisht emrin e partisë së tij dhe llogon e saj, kanë thënë disa burime të afërta me KQZ’në për Gazetën Monitor.

Në propozimin e ri, Jabllanoviq ka emërtuar partinë e tij Partia e Serbëve të Kosovës (Partija Kosovskih Srba – PKS).

Ndërkaq, për llogo të partisë, ai ka propozuar një llogo krejtësisht tjetër nga e para.

KQZ’ja ka paralajmëruar se të hënën në orën 9 e 30 do të mbajë mbledhje.

Përmes një komunikate për media, KQZ ka treguar edhe pikat e rendit të ditës të cilat do të shqyrtohen nesër nga ky komision.

Njëra nga pikat e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i rekomandimit të Zyrës për Parti për iniciativen politike PKS, të Jabllanoviqit.

Ish-ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, ditë më parë nxiti reagime të mëdha, pasi u xhiruar duke kënduar një këngë nacionaliste në një restorant të Leposaviqit.

Përmbajtja e tekstit ishte kërcënuese dhe ofenduese, pasi që ish ministri i Qeverisë së Kosovës bënte thirrje për luftë të re në Kosovë.

Jabllanoviq shihet në video i ledhatuar nga gruaja e tij gjersa këndon me vargje nxitëse për luftë.

Vite më parë, Jabllanoviq kishte shkaktuar reagim të madh në Kosovë, duke fyer nënat gjakovare.

Pas protestave të mëdha në Prishtinë, Jabllanoviq ishte shkarkuar nga posti nga kryeministri Isa Mustafa.