Jahjaga: Devollët më ofruan orë dore në vlerë mijëra euro

22.02.2018 21:10:52

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga pretendon se kishte refuzuar një orë dore që i ishte ofruar si dhuratë nga njëra prej kompanive të familjes Devolli.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Jahjaga tha se në fillimin e mandatit të saj, që i bie në vitin 2011, në zyrën e saj ishte sjellë një dhuratë në vlerë mijëra euro.

“Ka qenë një dhuratë e cila ka qenë me vlerë mijëra euro. Nëse nuk gaboj ka qenë dikur në javën e parë apo të dytë të mandatit tim. Ka qenë një orë dore me një vlerë enorme. Ka qenë nga një biznes i Kosovës”, tha Jahjaga.

Në pyetjen e Jeta Xharrës se a ka qenë ky biznes i ‘Devollëve’, ish-presidentja u përgjigj ‘Po’.

Jahjaga shtoi se këtë dhuratë ajo e kishte refuzuar me shkresë zyrtare.

“Unë me të parë vlerën e kësaj dhurate… Unë kam kërkuar që kjo dhuratë menjëherë të kthehet, ashtu si e sheh protokolli i shtetit është kthyer në mënyrë zyrtare dhe me shkresë zyrtare”, tha Jahjaga.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, ka kontaktuar dy kompanitë e familjes Devolli, ‘Devolli Group’, me pronar Blerim Devollin dhe ‘Devolli Corporation’, që është në pronësi të Shkëlqim Devollit.

Lidhur me këtë çështje, është përgjigjur kompania ‘Devolli Group’ në emailin zyrtar duke thënë se një dhuratë e tillë nuk ishte bërë nga kompania e tyre.

“Kompania jone asnjehere nuk i ka derguar dhurate te tille ish Presidentes Jahjaga apo edhe ndonje politikani.

Sa per informate, dhuratat e vetme qe i japim si shumica e kompanive ne Kosove, jane pakot e vitit te ri qe permbajne ekluzivisht produkte tona (produkte te qumeshtit dhe lengje) dhe ju dedikohen vetem klinteve apo bashkepunetoreve tane. Vlera e produkteve ne pako mund te jete rreth 10.00 EUR”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në anën tjetër, kompania me pronar Shkëlqim Devollin, “Devolli Corporation”, nuk kanë mohuar as pohuar këto pretendime.

Megjithëse emisioni ‘Jeta në Kosovë’, ka marrë konfirmim për pranimin e emailit tonë në emailin zyrtar të kompanisë, të njëjtit ende nuk janë përgjigjur.

Në këtë intervistë , Jahjaga po ashtu flet për disa nga vendimet më të rëndësishme që ka marrë si Presidente dhe detaje të pazbuluara më parë të kohës sa ishte në udhëheqje.