Jahjaga jep detaje për agjendën e shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s

10.06.2019 15:42:50

Ish-presidentja Atifete Jahjaga, ka mbajtur konferencë për media në emër të Këshillit Organizativ për Shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë

Jahjaga ka konfirmuar se Ish- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton dhe Ish- Sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në shënimin e 20-vjetorit të lirisë.

Të dy do të mbajnë fjalim në Tubimin Qendror për shënimin e kësaj dite.“Shënimi i 20 vjetorit është iniciativë e 4 presidentëve të Kosovës, Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe e imja. Iniciativa është përkrahur nga Qeveria që me 26 mars ka krijuar këshillin organizativ të Shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë”, tha Jahjaga.

“Për të shënuar përvjetorin kemi ftuar miqtë dhe aleatë tanë që ndajmë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë tashmë është bërë e ditur se të pranishëm do të jetë Bill Clinton, Medline Albright dhe shumë personalitet tjera të rëndësishme dhe miq të mëdhenj të Kosovës”, tha ajo.

Jahjaga njoftoi për agjendën e të mërkurës.

Në ora 11 në sheshin ‘Skënderbeu’ do të bëhet organizimi ku do të flasin edhe Clinton dhe Albright”.

“Ftojmë të jenë të pranishëm edhe qytetarët e Kosovës që të festojmë bashkë, nga ora 14:00 do jetë ecja për liri që fillon nga sheshi Skënderbeu deri të sheshi Albright ku do bëhet përurimi dhe më pas vizitohet shtatorja e Bill Clinton”.

“Në përmbyllje të aktivitetit në ora 17:00 do mbahet konferenca ndërkombëtare e sigurisë ’20 vite liri për paqe të qëndrueshme’”.

Ajo tha se edhe liderët e Shqipërisë kanë marrë të njëjtën ftesë që priten t’i bashkohem eventit.

“Lista e gjithë të fytyrave është bërë nga ana e Këshillit Organizativ dhe në bazë të konfirmimit që kemi pas deri më tani janë ftuar vendimmarrësit e vitit 99 dhe të tanishëm, për gjitha vendet e rajonit”.

“Eventi është për gjithë qytetarët kosovarë pa marrë parasysh përkatësinë etnike, është momenti i duhur të tregojmë falënderimin tonë për prezencën e NATO-s si forcë që ka sjellë paqen dhe ka garantuar paqen në pjesën jug-lindore”, shtoi Jahjaga