Jahjaga në Irlandë, takon presidentin Higgins

06.04.2018 15:25:56

Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot në Dublin nga Presidenti i Republikës së Irlandës, Shkëlqesia e tij,  Michael D. Higgins.

Në takim u diskutuan mundësitë për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve dhe përkrahjen e vazhdueshme të Irlandës, me theks të veçantë në procesin e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Integrimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare do të jetë shtytës për procesin e pajtimit në rajon. Kosova dhe rajoni mund të mesojnë shumë nga Irlanda në procesin e ndërtimit të paqes dhe bashkëjetesës me fqinjtë”, tha Jahjaga.

Poashtu, u fol për rëndësinë e pajtimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor si parakusht për një të ardhme paqësore të rajonit brenda Unionit Evropian.

Presidenti Higgins tha se: “E ardhmja e Bashkimit Evropian duhet të bazohet në diversitetin e popujve të tij”. “Atë [të ardhmen e BE-së] duhet ta mendojmë si bashkim të popujve evropianë dhe mund ta bëjmë realitet duke krijuar më shumë kohezion në mes të popujve”, u shpreh ai.

Irlanda është një nga vendet e para që ka njohur Kosovën si shtet vetëm pak kohë pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008.