Jahjaga u bën thirrje shqiptarëve t`u dalin në ndihmë familjeve të viktimave

23.07.2016 06:43:08

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka shpehur ngushëllimet për familjet e viktimave në Munich të Gjermanisë.

Ajo i ka bërë thirrje komunitetit shqiptar që të solidarizohen duke iu dalë në ndihmë familjeve që janë në kërkim të informacionit për fatin e anëtarëve të tyre.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Jahjagës:

Në këto momente ankthi për qytetarët e Gjermanisë, shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e viktimave të sulmit terrorist në Munih.

I bëj thirrje komunitetit shqiptar të solidarizohet dhe t’iu dalë në ndihmë familjeve që janë në kërkim të informacionit për fatin e atyre që mund të kenë qenë në vend të ngjarjes.

Të gjithë po i përcjellim me dhimbje të thellë dhe zemra të rënduara këto zhvillime në Gjermani, shtetin që hapi dyert për qytetarët tanë dhe aq shumë na ndihmoi gjatë periudhave më kritike të historisë sonë të re.

Konsullata e Republikës së Kosovës tashmë ka vënë në dispozicion numrin +491712818899 për qytetarët tanë në Gjermani dhe kanë apeluar që të kufizohet lëvizja në zonat e prekura nga sulmet.

Nuk duhet t’i dorëzohemi kurrë frikës. Duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të zëshëm kundër urrejtjes dhe terrorizmit.