Jakup Krasniqi, a e mban mend: kur denoncoja ndarjen e Kosovës, ti ishe njëri nga ata që e bëtë ndarjen?

27.02.2018 11:52:05

Nga Rexhep Kastrati

Jakup Krasniqi, kujtoj se e mban mend kur dilje në televizor në uniformë të UÇK-së dhe flisje në emër të saj! Atëherë ishe zëdhënës, por jo i UÇK-së, veç i linjës së Tiranës/Kretës që kishte për mision ndarjen e Kosovës!

Jakup, ti ishte zëdhënës i ndarjes së Kosovës dhe pjesë substanciale e angazhimeve për realizimin  e kësaj ndarjeje! Dhe këto nuk kanë ndodhur para pesë, gjashtë, dhjetë apo para njëzet shekujsh, por para dy dekadave e në vazhdim.

Nuk besoj se je kaq i dobët, kaq harrestar sa të harrosh periudhën e luftës dhe të pasluftës, sidomos jo ti, Jakup Krasniqi që e quan veten dr. të Historisë!

Dhe Jakup, kujtoj se nuk ke harruar se ka pasur njerëz që e kanë denoncuar këtë ndarje të Kosovës gjatë dhe pas luftës, të cilën e konfirmoi edhe Kushneri, kurse ti ndërseje zagarët e tu në medie, në politikë, madje edhe veglat kondomë brenda e rreth LDK-së.

Jakup, Hashim Thaçi kishte ndarë Kosovën më 1999 praktikisht, por edhe me letra. Dhe ti atëherë ke qenë njeriu i dytë më i lartësuar në pozita partiake dhe flakë nxjerrje nga goja për Hashimin.

Besoj se e din se si ndodhi që luftëtarët e UÇK-së nuk u lejuan të dilnin përtej Urës së Ibrit, as se si spitali në veri iu dhurua serbëve. Edhe Gani Bajraktari e di këtë. Dikush ka nënshkruar që spitali në veri t’u takojë serbëve, përkatësisht strukutave të Serbisë në veri. A është ky Hashim Thaçi bashkë me Gani Bajraktarin?

A nuk ishte Bajram Rexhepi që bashkë me Oliver Ivanoviqin legjitimonin ndarjen e veriut?

A nuk ishte Hashim Thaçi që popit Artemije dhe Momçilo Trajkoviqit ua legjitimonte kantonizimin e Kosovës?

Të gjitha këto, i kam denoncuar me kohë, o Jakup Krasniqi, dhe në vend që të reflektoje, të mendoje: vallë a për ndarje të Kosovës është bërë lufta? A për ndarje të Kosovës është derdhur gjkau?, ti vazhdove të ishe avokati dhe zëdhënësi i kësaj ndarjeje! Madje edhe më ndiqje penalisht nëpër gjykata.

Dhe në vazhdimësi, deri më tash nuk kam pushuar së denoncuari ndarjen e Kosovës. Dhe sa më shumë që denoncoja ndarjen e Kosovës, aq më të rënda trysnitë për të hequr dorë. Madje përdorët dhe përdorni edhe veglat kondomë brenda e rreth LDK-së për të ma pamundësuar angazhimin publik-medietik, duke rrezikuar edhe familjen time, që për turpin e tyre u bënë argatë të së keqes qoftë se ishin të shantazhuar, qoftë se ishin të përfshirë në krime, qoftë për përfitime personale.

Këto nuk po t’i them për asgjë tjetër, pos për të të thënë se sado që merr rolin e kukuvajkës, sado që çirresh e përdridhesh, tashmë nuk mund të shpëtosh dot nga përgjegjësia historike, politike, ligjore për të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur dhe po i ndodhin Kosovës, dhe për të ta kujtuar se ka pasur dhe ka një betejë kundër kësaj ndarjeje!

Prandaj, e pakta që mund të bësh, jo për ta larë veten, se nuk e lan dot, por së paku për të besuar se je penduar, është të pranosh të vërtetën për ndarjen e Kosovës, të vërtetën për misionin e linjës së Tiranës/Kretës, të vërtetën për goditjen e LDK-së dhe të presidentit Rugova dhe të vërtetën për vrasjet politike, të cilat, gjithsesi janë më të ndërlikuara sesa që po e paraqesin ata që mund të kenë qenë të përfshirë në këto vrasje!