Jakup Krasniqi a të kujtohet?

20.01.2019 18:08:09

Nga Rexhep Kastrati

Jakup Krasniqi, a të kujtohet kur gërvalleshe dhe doje ta bashkoje Kosovën me shtetin shqiptar, ndërkohë që e bëtë copa-copa?

Po atë kujtohet kur paralajmëroje se për 10 ditë do të futeshit në Prishtinë?

Po, po, Jakup Krasniqi, a të kujtohet kur nuk lije qoshe të Kosovë, duke ia mbajtur zhagun Hashim Thaçit, i cili pa përfunduar si duhet lufta u turr dhe u takua me popin Artemije dhe Momçilo Trajkoviqin për kantonizimin e Kosovës?

Po a të kujtohet kur mashtronte mantelbardhët dhe nuk i linte të shkonin në vendet e tyre të punës në spitalin në veri të Mitrovicës?

A të kujtohet kur vriteshin personalitete të rëndësishme politike, ushtarake dhe gazetarë, dhe ti ishe aty me Hashim Thaçin dhe me Kadri Veselin, edhe pse të gjithë drejtonin gishtin kah ata për vrasjen e atyre personaliteteve?

Në fund të fundit, a të kujtohet kur më ndiqje nëpër gjykata vetëm pse kisha guxuar ta thosha të vërtetën për linjën e Tiranës/Kretës që kishte ndarë Kosovën më 1999 dhe bënte gjithçka për ta ndarë edhe de jure?

Kujt i digjte më shumë që kisha pyetur publikisht se a ishte rrahur Hashimi nga Xhavit Haliti dhe nga Bardhyl Mahmuti, më 30 tetor 2000, dy ditë pas zgjedhjeve të para lokale, të 28 tetorit të atij viti, kur edhe kishin pësuar debakël turpërues?

A të kujtohet Jakup Krasniqi se atëherë Hashim Thaçi kishte ikur nga frika se mos po i kërciste ndonjë dajak, dhe ngaqë Xhavit Haliti mund ta eliminonte nga kreu u partisë? A thua ishte arsyetim se Hashimi kishte shkuar të mësonte anglishten?

A të kujtohet kur pranoje se SHIK kishte punuar për PDK-në, pra edhe gjithë ato që i mvisheshin SHIK-ut kishin një adresë në atë parti?

Pra, Jakup Krasniqi a kujton se duke dërdëllitur kundër Hashim Thaçit, i lanë gjynahet e tua?

Jo, Jakup, jo: gjatë tërë viteve të krimit politik dhe të ndarjes de facto të Kosovës, ti ia mbaje zhagun Hashimit, edhe Fatmir Limaj, po ashtu, edhe gjithë të tjerët që po dërdëllitni kundër tij.

Pse nuk bëhi të kurajshëm, të gjithë ju që t’u kërkoni falje qytetarëve të Kosovës që kanë vuajtur dhe kanë pësuar edhe nga veprimtaria e SHIK-ut dhe në përgjithësi e PDK-së dhe e satelitëve të saj?

A nuk ju ka zënë gjaku?